Lajme

Daçiç: Sfida më e madhe e sigurisë kombëtare është komuniteti serb në Kosovë


Ivica Daçiç

Sfida më e madhe për sigurinë kombëtare të Serbisë, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, është pozita e komunitetit serb në Kosovë, gjegjësisht siç pretendon ai aspirata e vazhdueshme e Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte ku serbët vetë do të konkludojnë se është e pamundur jetesa në Kosovë.

Detyra e Serbisë në këtë rrafsh, sipas Daçiç, është sigurimi që serbët të mund të jetojnë në Kosovë.

“Serbët s’kanë të drejta elementare të njeriut, nuk kanë siguri, janë të ekspozuara ndaj arrestimeve të vazhdueshme, kërcënimeve”, ka pretenduar ai.

Duke folur për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, Daçiç, ka potencuar se është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i cili gjen pika që mund të shkaktojnë përshkallëzim.

Prandaj ai ka parashtruar një pyetje ndaj komunitetit ndërkombëtar në raport me këtë çështje.

“A mund të disiplinoni Kurti, apo jo?”, ka pyetur ai.

Në anën tjetër shefi i Misionit të Serbisë në NATO, Branimir Filipoviç, kishte shprehur keqardhje për sulmin terroristë në Banjë të Zveçanit, ndërsa kishte potencuar se këto ngjarje nuk duhet të ndodhinë kurrë.

Megjithatë, sipas Filipoviç, në këtë fazë siç pretendoi ai është shumë e rëndësishme që të parandalohen veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës, që një ngjarje e tillë të mos ndodhë.

Ai pranoi se situata në Kosovë është shumë e brishtë dhe se Serbia është shumë e shqetësuar duke pasur parasysh atë që po ndodhë në Kosovë.

“I referohem veprimeve të njëanshme të Kosovës dhe mos-përmbushjes së obligimeve të saj të marra nga Marrëveshja e Brukselit, ne e shohim këtë si një potencial shumë serioz për tension dhe jostabilitet”, është shprehur ai në një intervistë për Demostat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore