Lajme

Daçiç: Hill po ndërhyn në punët e brendshme të Serbisë


Christopher Hill dhe Ivicia Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, mbrëmjen e së enjtes, me rastin e takimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, me prokuroret e shkarkuara serbe, vlerësoi se veprimi i Ambasadës Amerikane paraqet ndërhyrje “të hapur dhe të rëndë” në punët e brendshme të Serbisë.

“E di që fuqitë e mëdha duket se mund të bëjnë çdo gjë, por imagjinoni se si do të dukej sikur Marko Gjuriç të priste një prokuror apo gjykatës amerikan në ambasadën tonë në SHBA”, tha Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Diplomati amerikan këtë të enjte takoi në Beograd prokuroret e shkarkuara, Bojana Savoviç dhe Jasmina Paunoviç, të cilat sipas Prokurisë Themelore të Beogradit, janë “transferuar” sipas planit të rregullt vjetor në departamente të tjera.

“Një gjyqësor i pavarur dhe lufta kundër korrupsionit janë kyçe për përparimin e Serbisë, veçanërisht anëtarësimin në BE. SHBA-të mbështesin plotësisht Serbinë në këtë përpjekje dhe vlerësojnë partneritetin e profesionistëve në Prokurori, të cilët janë të vetëdijshëm për këtë, si Bojana Savoviç dhe Jasmina Paunoviç”, tha Hill.

Por, për shefin e diplomacisë serbe, takimi i diplomatit veteran me Savoviç-in dhe Paunoviç-in, të cilat po hetonin korrupsionin në kompaninë publike të energjisë, përveç që është ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran, “është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me dëshirën për të zhvilluar marrëdhënie të mira dypalëshe”.

“Serbia është gjithmonë e hapur dhe e gatshme për dialog, por të gjithë përfaqësuesit e huaj duhet të respektojnë parimet themelore të Konventës së Vjenës se nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve në të cilat janë të akredituar”, tha Daçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore