Shqipëria

Çuçi tregon detaje nga operacioni i riatdhesimit të 14 fëmijëve dhe 5 grave


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, të shtunën e 31 korrikut, ka treguar detaje rreth operacionit të tretë të riatdhesimit në Shqipëri, të 14 fëmijëve dhe 5 grave që ndodheshin në kampin Al Hol të Sirisë.

Gjatë fjalës së tij, ai ka përgëzuar Departamentin e Antiterrorit të kryesuar nga Gledis Nano, të cilët bënë intervista dhe identifikuan brenda kampit gra dhe fëmijë shqiptarë.

Gjithashtu ka qenë një përpjekje disa mujore me autoritetet kurde, sipas Çuçit, që administrojnë atë kamp apo atë terren.

“Me koordinimin e jashtëzakonshëm të konsullit tonë, të Markut dhe të gjithë përpjekjen e bërë nga të gjithë strukturat e sigurisë këtu në Bejrut, arritëm që më në fund të vendosim edhe për ditën kur do t’i merrnim”.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Liban të shtunën e 31 korrikut, për operacionin e shpëtimit të 5 grave shqiptare dhe 14 fëmijëve të tyre. Ai shkruan se familjet shqiptare do të largohen “nga kampi i ferrit në Al-Hol” për t’u riatdhesuar në Atdhe.

“5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri, falë një operacioni të gjatë e të ndërlikuar inteligjence në terren dhe ndihmës së paçmueshme të gjeneralit Abass Ibrahim”, shkruan Rama në statusin e tij.

Më herët, gazetari dhe korrespondenti kurd i agjencisë amerikane “NBC News”, Mahmoud Shikhibra ka publikuar në Twitter një lajm pozitiv, për riatdhesimin e disa familjeve që qëndronin në kampet e ISIS-it, Roj në Siri.

“Departamenti i Jashtëm në Administratën Autonome njoftoi se ata do i dorëzojnë disa familje të ISIS-it, qeverisë shqiptare”, shkruhet në statusin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore