Lajme

Cramon thotë se “s’ishte në dijeni” që Antiçi është bashkëpunëtor i Rusisë


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, nëpërmjet një deklarate publike në platformën “X” të enjten, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që kryetari i Sindikatës Ushtarake të Serbisë, Novica Antiç, i cili ka pasur disa takime në Bruksel vitin e kaluar me disa eurodeputetë, ka qenë bashkëpunëtor i shërbimit të intelegjencës ruse (FSB).

“Në asnjë moment nuk mund ta dija se Antiçi apo ndonjë përfaqësues tjetër në këtë takim kishte apo ishte i lidhur me FSB-në ose shtetin rus. PE-ja duhet të qëndrojë vigjilente në lidhje me përpjekjet për të komprometuar punën tonë dhe për të luftuar kundër kërcënimeve të shkaktuara nga ndikimi keqdashës rus”, deklaroi të enjten eurodeputetja gjermane.

Në një artikull të prestigjozes amerikane “Politico” thuhej se Rusia përdor edhe shtetasit e Serbisë për t’u infiltruar në institucionet e BE-së. Duke u thirrur në burime brenda agjencive të intelegjencës perëndimore, mediumi amerikan përmendi emrin e sindikalistit ushtarak serb, i cili dyshohet se është agjent i Rusisë. Antiç vitin e kaluar takoi disa eurodeputë.

“Më 8 tetor 2023, mora një kërkesë nga Unioni Evropian i Shërbimit Publik (EPSU) […] për t’u takuar me përfaqësuesit e Sindikatës Ushtarake të Serbisë. Takimi u fokusua ekskluzivisht në presionin ndaj Sindikatës Ushtarake të Serbisë dhe liderit të saj, i cili dha detaje për procedurat e vazhdueshme ligjore të nisura nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë”, tha Cramon.

Në artikullin e “Politico”-s thuhej se Rusia përdor Serbinë si pikënisje për operacionet e krijuara ekskluzivisht për të dobësuar ndjenjat pro-BE dhe pro-NATO brenda vendit, derisa shteti serb vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që s’i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore