Lajme

Cramon mendon se “ushtria dixhitale” e LVV-së kufizon lirinë e fjalës në Kosovë


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, konsideroi sërish se “ushtria digjitale” e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet kufizon lirinë e shprehjes në Kosovë, derisa shpërndau një artikull të titulluar: “Koha që Qeveria e Kosovës të dënojë ushtrinë e ngacmuesve kibernetikë”.

“Faleminderit për këtë artikull të rëndësishëm. Në të vërtetë ushtria dixhitale e LVV-së kufizon lirinë e fjalës”, shkroi eurodeputetja gjermane, ndërsa bashkëngjiti edhe një pjesë të tekstit: “Në Kosovë, ish-anëtarët e partisë në pushtet konfirmuan gjithashtu ekzistencën e një ushtrie dixhitale që ka për detyrë të përhapë informacione dhe të shënjestrojë pikëpamjet e kundërta”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, deklaroi javë më parë se akuzat për “propagandë qeveritare” në rrjetet sociale janë “teori konspirative” që duhet të ndalen, derisa mohoi që ekzekutivi kosovar financoi botët softuerikë apo llogaritë automatike që sulmuan Gjorgje Bojoviç, asistent i eurodeputetes gjermane nga radhët e grupit parlamentar të të Gjelbërve.

Reagimi i Kryeziut në platformën “X” atëherë erdhi pas akuzave të Cramonit për “propagandë qeveritare” dhe “fushatë dezinformuese” në rrjetet sociale kundër Bojoviçit, duke shtuar gjithashtu se kjo praktikë do t’i dobësojë shanset e Kosovës për përparim të shpejt në rrugën e integrimeve.

“Qeveria e Kosovës nuk është përfshirë dhe nuk do të përfshihet kurrë në abuzim të  pushtetin duke sponsorizuar trollët në internet. Ne i mohojmë akuzat nga Cramon, me të cilën komunikojmë rregullisht përmes kanaleve zyrtare. Ne i bëjmë thirrje asaj dhe të tjerëve që të mos mbështesin teoritë e konspiracionit kundër një qeverie demokratike”, tha Kryeziu.

Gjithçka nisi pas një sërë reagimesh ndaj Bojoviçit lidhur me një deklaratë të bërë në vitin 2015 për krimet e luftës në Kosovë. Bojoviç u ankua ditë më parë se “ushtria e botëve” nga Kosova e sulmuan në internet.

Si lufton “ushtria e botëve” kundër kritikëve të pushtetit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore