Shqipëria

Çmimi i ushqimeve ka rritjen më të lartë në indeksin e muajit janar


Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin janar 2023, arriti 112,6 kundrejt muajit dhjetor të vitit 2022.

Kështu bëjnë të ditur të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin janar 2023 është 7,2 për qind, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,7 për qind.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin janar 2023, krahasuar me dhjetor 2022 është 1,1 për qind.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,67 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,56 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,52 pikë përqindje, “Transporti” me +0,39 pikë përqindje, “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,26 pikë përqindje dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje.

Kurse çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,20 pikë përqindje, “Veshje dhe këpucë” me +0,15 pikë përqindje, “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje, “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje, “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje dhe “Argëtim dhe kulturë” +0,04 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin janar 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,3 për qind, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,6 për qind, “Transporti” me 6,5 për qind.

Ndërsa në grupin “Hotele, kafene dhe restorante” është vënë re një rritje me 5,6 për qind, “Veshje dhe këpucë” me 4,1 për qind, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,6 për qind, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,0 për qind dhe “Shërbimi arsimor” me 2,3 për qind.

Sakaq, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 për qind secili dhe “Shëndeti” me 1,0 për qind.

Çmimet botërore të ushqimeve ranë në janar për të dhjetën muaj radhazi dhe tani janë ulur me rreth 18 për qind nga niveli rekord i marsit të kaluar pas pushtimit rus të Ukrainës, tha të premten agjencia e ushqimit e Kombeve të Bashkuara.

Indeksi i çmimeve të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), i cili ndjek mallrat ushqimore më të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 131.2 pikë muajin e kaluar kundrejt 132.2 për dhjetorin. Ishte leximi më i ulët që nga shtatori 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore