Muzikë

Çmenduri australiane për koncertin e The Weeknd, dyfishohen datat


Turi global i After Hours til’ Dawn i artistit kanadez The Weeknd e përmbylli rrjedhën në Evropë, me koncertin e fundit të mbajtur në Wembley Stadium në fund të gushtit, por ai është shumë larg përmbylljes tërësore.

Përkundrazi, duket se Abel Tesfaye nuk njeh më limite dhe tashmë, katër datat e parashikuara për Australinë dhe Zelandën e Re, u kthyen në 10.

Duket se The Weeknd nuk e kishte llogaritur mirë kërkesën e madhe që do të kishte turneu i tij dhe me publikimin fillestar të katër datatave, australianët dhe neozelandezët u dyndën për të rrokur një biletë.

Për këtë arsye, ai shtoi edhe katër data të tjera, nga një për çdo koncert (Brisbane, Melbourne, Sydney dhe Aukland).

E sërish, kjo nuk mjaftoi në dy prej qyteteve më të mëdha të Australisë, Melbourne dhe Sydney.

Radhë prej 150 mijë njerëzish janë parë online, ku piku u arrit në 170 mijë kërkesa për bileta në Melbourne.

“Ju jeni të çmendur! Do të shtoj edhe një datë për ju në Melbourne”, shkroi ai në Instagram, duke publikuar edhe datën e re.

Më tej, edhe Sydney u “çmend” me kërkesat e mëdha për koncertin e dytë dhe The Weeknd vendosi të shtonte një datë edhe aty.

Pra, tre koncerte në Sydney dhe Melbourne…deri tani të paktën!

Një sukses i jashtëzakonshëm për artistin, i cili vetëm dhjetë vjet më parë, nuk kishte performuar në asnjë skenë madhore.

Ndërsa, sot, është prej më të kërkuarve dhe çdo spektakël i tij ka qenë i shitur, si për turin amerikan, edhe për atë evropian.

Në radhë tanimë janë datat në Amerikën Latine dhe Australi e Zelandë të Re. Teksa, në pritje, është edhe kontinenti aziatik për datat e tija, si edhe një rifreskim i turit në Amerikën e Veriut dhe Kanada, me data të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore