Lajme

Clark i drejtohet Kuvendit në përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s: Krenar që ndihmova ndalimin e spastrimit etnik


Wesley Clark

Ish – komandant suprem i forcave të bashkuara të NATO-s për Evropën, Wesley Clark, përmes një video-mesazhi i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, e cila ka mbajtur një seancë solemne për nder të 23 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Për ushtarakun Clark, më 24 mars 1999 ka ndryshuar historia e botës dhe se sipas tij me këtë intervenim botës i është dhënë dritë dhe shpresë.

“Jam posaçërisht shumë krenar për të gjithë ju në Kosovë,. Për demokratizimin që keni bërë, për zhvillimin ekonomik sfidues që kemi ndërmarrë dhe jam veçanërisht mirënjohës për miqësinë e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj SHBA-së”, tha Clark.

Ish-komandanti i NATO-s, më tej në fjalimin e tij potencoi se për të është nder i jetës që pati mundësinë të ndihmojë ndalimin e spastrimit etnik të Serbisë në Kosovë.

Ai ka shprehur edhe ngushëllimet e tij për nder të ish-sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Jam i mërzitur kur kuptova që e madhja, ish-sekretarja jonë e Shtetit, Madeleine Albright vdiq sot. Unë takona presidentin Clinton dhe par tre-katër ditësh isha me Tony Blair. Ne ishim bashkë dhe të gjithë ishim të mendimit që 23 vite më parë kishim bërë gjënë e duhur. Për Kosovën dhe bëmë gjënë e duhura për NATO-n, bëmë gjënë e duhur për botën”, deklaroi më tutje ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore