Lajme

Çka do të ndodhë me 16 afganët e mbetur në Kosovë?


Ilustrim

As autoritetet në Kosovë, as autoritetet në Shtetet e Bashkuara nuk japin informacione nëse disa afganë të strehuar në Kosovë, nuk do të lejohen të zhvendosen në SHBA, ashtu siç ka raportuar gazeta amerikane The Wall Street Journal.

Të martën e 24 majit, The Wall Street Journal ka raportuar se Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur t’i njoftojë disa prej afganëve të strehuar në Kosovë, se nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA.

Gazeta ka raportuar se 22 afganë janë duke kaluar nëpër procesin e verifikimit – prej të cilëve 16 kanë marrë njoftimin se aplikacionet e tyre për të hyrë në SHBA, janë refuzuar. Sipas gazetës, për gjashtë raste të tjera ende nuk është marrë vendimi.

Si arsye për këtë përmendet zbulimi i “disa informacioneve diskualifikuese” për afganët, por nuk jepen më shumë detaje.

Sipas gazetës amerikane, The Wall Street Journal, nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me afganët në Kosovë, që nuk e kalojnë procesin e verifikimit.

“Diçka që mund të jetë shqetësuese për SHBA-në, mund të mos jetë për ndonjë shtet tjetër”, ka thënë një zyrtar amerikan, duke folur për mundësinë që ndonjë shtet tjetër t’i pranojë ata afganë, ka cituar The Wall Street Journal.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, por as Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e as Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk janë përgjigjur pyetjeve të Radio Evropës së Lirë, për atë se çfarë do të ndodhë me afganët e strehuar në Kosovë, në rast se u refuzohet hyrja në SHBA.

Në mars të këtij viti, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë për gazetarët se asnjë afgan, i cili mund të mos e kalojë procesin e verifikimit, nuk do të mbetet në Kosovë.

“Ata do të jenë në Kosovë për vetëm 365 ditë dhe jo më gjatë se aq. Në rast se duhet më shumë kohë, ne do të gjejmë një vend tjetër për ta, e që duhet të jetë i pranueshëm për të gjitha palët, në rast se ata [afganët] nuk mund të shkojnë ende në SHBA. Marrëveshja që kemi me Kosovën, thotë se ata nuk do të rrinë në Kosovë”, kishte thënë zyrtari i DASH-it.

Në muajin shkurt, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës kishte thënë se, bazuar në marrëveshjen e saj me SHBA-në dhe NATO-n, çdo afgan që është në Kosovë mund të qëndrojë vetëm një vit.

“Deri më tani, asnjëri nga qytetarët afganë nuk ka aplikuar për qëndrim në Kosovë”, thuhej në përgjigjen e MPB-së.

Shumica e afganëve që janë larguar nga Kosova, janë vendosur tashmë në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore