Shqipëria

Cilat janë akuzat e regjistruara nga SPAK për muxhahedinët


Strukturat speciale të Policisë së Shtetit (RENEA, Antiterrori, Operacionalja, Shqiponja) zbarkuan të martën e 20 qershorit në Manëz, në vendqëndrimin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit Iranian (MEK).

Qëllimi i këtij operacioni ishte për të zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në atë që konsiderohej si qendër operacionale e MEK-ut për sulme të mundshme keqdashëse kibernetike.

Sipas dosjes hetimore, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal për disa vepra penale ndaj muxhahedinëve.

Kjo, pas hetimeve që ka zhvilluar Njësia “C” nga Hetimi i Krimit Kompjuterik, si edhe Drejtoria e Antiterrorit.

Mes veprave penale të shkruara në dosjen e Prokurorisë e Posaçme janë: ‘Provokim i luftës’, ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në sistemet kompjuterike’, ‘Keqpërdorimi i pajisjeve’ dhe ‘Grupi i strukturuar kriminal’.

Angazhimi policor është kundërshtuar nga anëtarët e MEK-ut, duke u përpjekur për të bllokuar automjetet dhe lëvizjen e Policisë nëpër rezidenca, duke iu referuar imazheve të publikuara nga autoritetet.

Operacioni u përmbyll me një të vdekur, që dyshohet se ndërroi jetë nga infarkti dhe për të cilin pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet zyrtare.

Sipas shifrave të publikuara nga Policia, u dëmtuan 15 efektivë dhe 21 anëtarë të MEK-ut, 15 prej të cilëve lanë spitalin disa orë pas shtrimit të tyre.

Nga 127 godina në Manëz, autoritetet kontrolluan 70 prej tyre duke e përmbyllur me sekuestrimin e 96 njësive kompjuterike, 46 laptop dhe karta të ndryshme memorieje.

Pas përfundimit të operacionit policor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe për pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-s.

Policia zbarkoi në Manëz, çfarë ndodhi në kampin e MEK-ut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore