Lajme

Cila është rëndësia e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk shkarkohet askush pas konstatimit të shkeljeve?


Para katër dite Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur “në kundërshtim me Kushtetutën”, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Edhe pas katër ditësh, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vazhdon të ushtrojë detyrën e ministres. Haxhiu as nuk e ka ndërmend të dorëhiqet.

Madje, ajo ka deklaruar se është Gjykata Kushtetuese është ajo që po i pengon “reformat në drejtësi”.

Por, cila është rëndësia e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nëse ato nuk prodhojnë efekt?

Ehat MIftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, rëndësinë e vendimeve të kushtetueses e sheh në ruajtjen e arbitraritetit që mund të ndërtojnë institucionet publike të vendit gjatë hartimit të ligjeve dhe politikave të cilat miratohen nga to.

“Të gjitha ato politika, vendime e ligje që miratohen në kundërshtim me Kushtetutë, kthehen në pikën zero, shpallen të pavlefshme”, ka specifikuar Miftaraj në një prononcim për Albanian Post.

“Përderisa në aspektin politik sigurisht që kjo dërgon mesazh tek qytetarët se qeveria në këtë rast ose ministritë e caktuara nuk i kushtojnë rëndësi e kujdes politikbërjes në bazë të kushtetutës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, tregon Miftaraj, në rast se shkelet Kushtetuta, “ka pasoja vetëm në raport me Presidentin e Republikës së Kosovës”.

“Në ato raste kur konstatohet nga Gjykata Kushtetuese se Presidenti ka bërë shkelje të rënda dhe mund të çojnë deri te shkarkimi i të njëjtit. Ndërsa në raport me qeverinë, ministrat, komunat, gjykatat e institucionet tjera, në çdo rast kur Gjykata Kushtetuese konstaton shkelje, ajo ka për qëllim përmirësimin e politikbërjes e vendimmarrjes”, thotë Miftaraj.

Kushtetuesja nuk i obligon të dorëhiqen ata që e shkelin, por mbetet në etikën dhe moralin e tyre dorëheqja.

“Ka më shumë karakter etik e moral se sa duan ministrat e kryeministri të dorëhiqen ose jo. Dhe jo vetëm në Kosovë por në krejt botën. Gjykata Kushtetuese ka për qëllim ruajtjen e rendit kushtetues, juridik në rastin e miratimit të ligjeve”.

Në Kosovë është ndërtuar një “standard” i cili nuk prodhon pasoja për asnjë udhëheqës institucioni publik, qoftë edhe vetë Kryeministri, kur bëjnë shkelje kushtetuese.

“E kemi pas rastin e Isa Mustafës, rastin e statusit për Asociacionin, ku Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje kushtetuese por që nuk ka pasur pasoja juridike e as politike për të”, kujton Miftaraj.

Vitin e kaluar, Kushtuesja kishte njoftuar se edhe ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në reformën që e kishte nisur ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Ndërsa, së fundi, ministrja Haxhiu me ligjin për këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Çdo ministër, çdo zyrtar i lartë publikë, çdo institucion e ka për obligim t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, mos t’i komentojë në publik”, thotë Miftaraj, pasi që kjo gjë “cenon pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”.

“Kjo është më shumë një mesazh për publikun, qytetarët se sa i kushtojnë rëndësi apo e respektojnë atë institucionet e pavarura dhe politika”.

“Në këtë rast zonja Haxhiu do të duhej të dilte në konferencë për medie e të deklaronte se e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se pas publikimit të aktgjykimit do ta analizojmë dhe do t’i marrim masat që i njëjti të zbatohet”.

“Tash, problem është që me këtë qeveri që qysh kanë filluar, shumicën e ligjeve që po i bëjnë janë duke i bërë në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese. Kjo është shqetësuese, kjo ka më shumë karakter politik dhe tregon se sa janë profesionistë në hartim të politikave”, përfundon drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore