Lajme

Çikago – 3 milionë dollarë dëmshpërblim për gruan e prangosur zhveshur në bastisjen e gabuar


Anjanette Young

Autoritetet e Çikagos duhet t’i paguajnë 2.9 milionë dollarë dëmshpërblim afro-amerikanes Anjanette Young, të cilën policët e prangosën ndërsa ajo ishte e zhveshur, gjatë ekzekutimit të një urdhër-kontrolli në shtëpinë e saj.

Gjatë bastisjes, në shkurt të vitit 2019, Young u gjet e zhveshur, u prangos dhe përjetoi një tmerr, ndonëse ajo për të paktën 42 herë u përsëriti policëve se kishin hyrë në banesën e gabuar.

“Kisha frikë se mos bëja ndonjë gjë të gabuar, mos bëja ndonjë lëvizje dhe do të më qëllonin”, deklaroi ajo për “Good Morning America”.

“Ata më kishin drejtuar armët. Kisha frikë për jetën time atë natë”, shtoi gruaja.

Anjanette Young

Young ndodhej në banesën e saj, teksa po ndërrohej, kur policia e goditi portën me një dash.

Pas verifikimit të pamjeve nga kamerat e trupit, vihet re një grup oficerësh meshkuj, që bërtasin, duke u grumbulluar në apartamentin ku Young qëndronte lakuriq.

Sipas saj, dhoma ishte aq e errët, saqë mund të shquante vetëm dritat dhe tytat e armëve të drejtuara drejt saj.

Oficerët qëndruan në shtëpinë e Young-ut për më shumë se një orë dhe e mbuluan atë me një batanije. Duke qenë se ajo ishte e prangosur, mezi merrte frymë.

Çast nga bastisja e banesës së Anjanette Young

“Ata e shihnin zonjën Young si diçka jo njerëzore”, tha Keenan Saulter, avokati mbrojtës i Young-ut, vitin e kaluar.

Vendimi i komitetit të financave të këshillit të qytetit të Çikagos vjen një muaj pasi një raport nga Zyra Civile e Përgjegjësisë së Policisë së qytetit rekomandoi që disa oficerë policie të përballen me pezullimin ose përfundimin për veprimet e tyre në bastisjen e dështuar.

“Ndërhyrja dhe pushtimi i shtëpisë së saj implikon shqetësime të tjera, duke përfshirë mungesën e trajnimit dhe mbikëqyrjes adekuate që rrethon përdorimin e urdhrave të bastisjes nga Departamenti dhe ndikimin disproporcional të veprimeve të policisë te njerëzit me ngjyrë”, thuhej në raport.

Marrë nga ‘The Guardian’, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore