Shqipëria

Çela në Konferencën e 13-të të Prokurorëve Evropianë, miratohet deklarata që dënon agresionin rus


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, është pjesëmarrës në konferencën e 13-të të Rrjetit të Prokurorëve Evropianë që po zhvillohet në Vjenë, Austri.

Çështje kryesore e konferencës është bashkëpunimi mes Zyrës së Prokurorit Publik Evropian dhe prokurorive kombëtare.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian heton dhe ushtron ndjekjen penale për krime që kryhen kundër buxhetit të BE si mashtrimi dhe korrupsioni.

Në konferencë u miratua një deklaratë, përmes së cilës u shpreh shqetësimi dhe solidariteti me Ukrainën dhe popullin ukrainas, si dhe u dënua agresioni rus dhe krimet e rënda që janë kryer atje.

Anëtarët e rrjetit u angazhuan që brenda kompetencave të tyre ligjore, të mbështesin autoritetet ukrainase në mbledhjen dhe sigurimin e provave, si dhe në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda të kryera në kuadër të konfliktit të armatosur.

Krijimi i zyrës përbën një hap të rëndësishëm përpara në krijimin e një zone të përbashkët të drejtësisë penale në Bashkimin Evropian.

Prokurori i Përgjithshëm e vlerësoi nisjen e bashkëpunimit me Zyrën e Prokurorit Publik Evropian si hap në rrugën e duhur në procesin e integrimit të vendit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore