Muzikë

Çeçenia ndalon muzikën dance shumë të shpejtë ose shumë të ngadaltë


Republika ruse e Çeçenisë ka ndaluar muzikën dance që e konsideron ose shumë të shpejtë ose shumë të ngadaltë.

E gjitha kjo, në një përpjekje për të shuar një ndikim “ndotës” perëndimor në rajonin konservator me shumicë myslimane.

Musa Dadayev, ministri i Kulturës, ka thënë se “të gjitha krijimet muzikore, vokale dhe koreografike duhet të korrespondojnë me një ritëm prej 80-116 beats në minutë”.

Kjo, për ta bërë muzikën “në përputhje me mentalitetin çeçen dhe ndjenjën e ritmit”.

“Të huazosh kulturën muzikore nga popujt e tjerë është e papranueshme”, ka theksuar Dadayev.

“Ne duhet t’i sjellim njerëzve dhe të ardhmes së fëmijëve tanë trashëgiminë kulturore të popullit çeçen. Kjo përfshin të gjithë spektrin e standardeve morale dhe etike të jetës për çeçenet”.

Referuar raportimeve në mediat ruse, Dadayev u vendos artistëve në rajon një afat deri në 1 qershor për të rishkruar çdo muzikë që nuk përputhet me rregullin.

Ligji në fuqi kriminalizon shumicën e zhanreve moderne të muzikës dance që luhen zakonisht në klube anembanë botës, të tilla si house, techno, dubstep ose drum’n’bass.

Kurse zhanret hip-hop dhe rap, të cilat zakonisht luhen me shpejtësi midis 60 dhe 140 beats në minutë, në teori do të kualifikoheshin ende për “ndjesinë e ritmit” tradicional çeçen që regjimi i liderit autoritar, Ramzan Kadyrov, dëshiron të ruajë.

Muzika tradicionale çeçene përfshin khalkaran yish – këngë instrumentale që përdoren për të shoqëruar vallëzimin dhe garat me kuaj – dhe baladat epike heroike të njohura si illi yish.

Ato mund të shoqërohen nga një instrument me tre tela i ngjashëm me balalaika-n ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore