Lajme

Ç’do Hungaria në NATO, as vetë Orban nuk e di


Vendi i Ukrainës është në NATO, deklaroi shefi i aleancës më të madhe ushtarake në botë, Jens Stoltenberg, të enjten në Kiev, gjatë vizitës së tij të parë në vend që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë.

Udhëtimi i befasishëm, që vjen më shumë se një vit pas fillimit të luftës, është shumë i ndjeshëm dhe arrin në një kohë kur zyrtarët ukrainas po e shtyjnë aleancën ushtarake perëndimore t’i japë Kievit një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit.

Duke folur në Kiev së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, Stoltenberg tha se vendi i përket familjes euroatlantike.

Madje, edhe se të gjithë vendet e NATO-s, ishin njëzëri në qëndrimin se dita duhet të vijë – pas përballjes me luftën ruse – që ukrainasit të bashkoheshin nën ombrellën e organizatës.

Diçka e tillë, për shtat, nuk i shkon presidentit rus, Vladimir Putin, i cili me anë të zëdhënësve të tij, e bëri të qartë se përballë ka një aleancë dashakeqe.

Mirëpo, zërat, nuk janë aq të unifikuar as vetë brenda NATO-s dhe përjashtimin, e bën i përhershmi Viktor Orban, kryeministri hungarez.

“What?!” (Çfarë?!).

Kaq është komenti i tij në faqen zyrtare që ka në Twitter, sa i takon deklaratave të Stoltenberg.

Nuk është për t’u habitur në fakt prej kësaj, pasi vetë Orban është ndër të paktët liderë evropianë, i cili ka dyzime sa i takon luftës, dyzime sa i takon sanksioneve kundër Moskës dhe dyzime, sa i takon mbështetjes që i duhet dhënë Ukrainës në rezistencë.

Orban është parë shumë herë si “delja e zezë” e Bashkimit Evropian dhe ky rast nuk përbën përjashtim, me një koment kaq të hapur publik të shpalosur botërisht.

Reagime mbi këtë nuk kanë ardhur, por fjala bie, as nga ana e Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan, nuk ka pasur dyshime kaq të mëdha sa Orban i ka, për zgjerimin e NATO-s.

Rusia e ka kërkuar me ngulm ruajtjen e status quo-së së vendeve të Evropës Lindore, kryesisht atyre kufitare me vetë Federatën.

Ukraina, pikërisht mbi këtë parim, është kthyer edhe në “mollën e sherrit” të dekadave të fundit pas ndarjes së ish-Bashkimit Sovjetik, ku Rusia ka kërkuar gjithnjë të “lagë buzët” me territore të reja.

Për NATO-n vetë, ka qenë thelbësore që të shtrihet në vende si Polonia, Hungaria, Bullgaria, Rumania, duke marrë parasysh edhe lidhjen që këto shtete kanë zgjedhur të kenë me Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ndikimi i shtuar rus dhe kinez në Ballkan, bëri më pas që fillimisht me Shqipërinë dhe më mbrapa me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, aleanca të zgjerohej më tej.

Por, falë komenteve të Organ, pyetja që po shtrohet tanimë nuk është thjesht zgjerimi i NATO-s perëndimore, por një problem tjetër më thelbësor: A duhet të largohet ndonjë vend prej saj?

Mbi të gjitha, me një lider si Orban, a i takon Hungarisë të jetë jo vetëm në NATO, por edhe në BE?

E gjitha, duke parë se si herë pas here, ajo ka qenë pengesë e patjetërsueshme për reformat, apo hapat ndëshkuese, që Brukseli ka kërkuar të marrë kundrejt Putinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore