Sport

“Çdo gjë do të jetë në nivele ndërkombëtare”, drejtori sportiv i Pejës flet për organizimin e Kupës së Kosovës në Basketboll


Më 9 shkurt, të mërkurën, fillon “Final Eight” Kupa e Kosovës në Basketboll.

Qyteti i Pejës do të jetë organizues i edicionit të vitit 2022, me palestrën “Karagaçi” që do të jetë dëshmitare e 12 takimeve spektakolare të basketbollit vendor.

Kupa e këtij edicioni do të ketë emrin “Agim Lluka”, si kujtim për të ndjerin, për kontributin dhe punën e tij.

Mbi organizimin dhe mbarëvajtjen e Kupës së Kosovës, për Albanian Post ka folur drejtori sportiv i KB Pejës, Arbër Elshani.

Ai tha që për qytetin organizimi i Kupës ishte shumë i rëndësishëm.

Këtë, Peja ia arriti pasi “përmbushi të gjitha kushtet që kishte ngritur Federata e Basketbollit të Kosovës”.

Masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës, fatkeqësisht e pamundësojnë që palestra “Karagaç” të jetë e mbushur plot.

Siç tregon Elshani, të pranishëm në sallë do të jenë 1 mijë e 200 tifozë, që është edhe gjysma e kapacitetit.

Ai premton që ky turne do të jetë “krejt ndryshe”.

“Personalisht mendoj së kësi lloj eventi apo turneu të Kupës, Kosova nuk e ka parë asnjëherë në asnjë kategori sportive”, shprehet Elshani.

“Çdo gjë do të jetë në nivele ndërkombëtare”, vazhdoi ai, “apo thënë më mirë, nivel i organizimeve të FIBA-s”.

Se sa seriozisht është marrë organizimi i këtij turneu nga ana e klubit të Pejës, e vërtetojnë edhe masat, që do të jenë strikte.

Siç tregon Elshani, asnjë tifozë nuk do të pajiset me biletë për Kupën e Kosovës, nëse nuk janë të vaksinuar me dy doza dhe nëse nuk paraqesin numrin e letërnjoftim.

Se Kupa e Kosovës mezi po pritet në Kosovës, e konfirmon edhe interesimi për bileta.

Siç tregon Elshani, interesimi është “shumë i madh”.

“Nuk ka pasur assesi ankesa për çmimin”, shton ai.

“Çmimi i biletave është shumë i lirë – tifozët mund të shikojnë 12 ndeshje të Kupës me vetëm 15 euro”.

“Janë tepër lirë, por ne nuk kemi shikuar të përfitojmë nga ky event, edhe pse ai ka kosto të madhe”, vazhdoi drejtori sportiv i KB Pejës.

Ai kërkon nga tifozët që të anojnë për skuadrën e tyre ferr dhe korrekt, të respektojnë rregullat sepse përndryshe do rrezikojnë mbarëvajtjen e të gjithë eventit.

Në fund, ai flet nga këndvështrimi i një tifozi, duke dhënë parashikimin e tij për finalistët e këtij edicioni të Kupës së Kosovës.

“Unë e shoh Pejën në finale nga grupi C, dhe besoj që nga grupi D, në finale do të jetë Prizreni 16”, mbylli ai.

Maratona e Kupës së Kosovës fillon më 9 shkurt me ndeshjet çerekfinale, kurse mbaron më 13 shkurt me finalen e madhe.

Më poshtë, ndeshjet e Kategorisë së meshkujve dhe femrave për edicionin 2022 të Kupës së Kosovës:

Ndeshjet në kategorinë e meshkujve
Ndeshjet në kategorinë e femrave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore