Sport

Carrick largohet nga United pas 15 vjetësh, Ronaldo: Jam krenar që e kam njohur


Ish-futbollisti anglez, Michael Carrick u largua nga Manchester United, pas një periudhe prej 15 vjetësh.

Ai ishte futbollist i “djajve të kuq” që nga viti 2006 deri më 2018, i cili më pas u bë ndihmës trajner në klubin ku kaloi shumicën e karrierës së tij, pastaj udhëhoqi ata në tre ndeshjet e fundit në rolin e trajnerit kryesor.

Largimin e tij nga United e kanë përshëndetur shumë figura të njohura të klubit, ku njëri ndër ta, ishte Cristiano Ronaldo, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, tha fjalë të mira për ish-shokun e skuadrës.

“Michael ishte një lojtar klasi dhe ai mund të bëhet edhe një trajner i madh. Asgjë nuk është e pamundur për këtë djalë. Personalisht, jam krenar që kam luajtur me të në krah, si dhe që e kam pasur trajner në stolin tonë”, shkruan Ronaldo.

Michael Carrick udhëhoqi klubin e Manchester United drejt fitores në ndeshjen e fundit ndaj Arsenal-it, me rezultat 3:2, derisa pas ndeshjes ai komunikoi largimin nga klubi ku kaloi periudhën më të lavdishme të tij.

“Koha ime në këtë klub të madh, do të jetë gjithmonë si vitet më të mira në karrierën tim. Kam vendosur që tani është koha e duhur që të largohem. Do të doja t’i uroj Ralf Rangnick, stafit, lojtarëve dhe tifozëve çdo të mirë për të ardhmen”, tha Carrick.

Kujtojmë që Carrick ishte ndihmës i trajnerit norvegjez, Ole Gunnar Solskjaer, i cili u shkarkua nga “djajtë e kuq” para pak ditësh.

Pas largimit të Solskjaer, Carrick udhëhoqi klubin në dy ndeshje në Premier Leauge (barazimi ndaj Chelsea-t dhe fitorja ndaj Arsenal-it), si dhe një ndeshje në Ligën e Kampionëve, ku anglezët e fituan përballë Villareal-it.

Tani drejtimin e klubit të lavdishëm nga Anglia, do ta marrë gjermani Ralf Rangnick, i cili gjithashtu do të jetë trajner i përkohshëm, pasi që nënshkroi kontratë gjashtë-mujore me ta.

Kujtojmë që me fitoren e arritur ndaj Arsenal-it, United shkon në kuotën e 21 pikëve dhe renditet në vendin e shtatë në tabelë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore