Lajme

Buhler: Kosova mbrohet nga NATO – Serbia s’do të shkonte aq larg sa ta sulmonte


Erhard Buhler

Ish-komandantit i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Erhard Buhler, në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të hënën, derisa komentoi kërcënimet e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, kundrejt Kosovës, tha se ndonëse ky i fundit është i gatshëm për nxitje të situatës, s’do të shkojë aq larg sa të ndërmarrë një sulm ushtarak.

Në sytë e mbrehtë të gjeneralit gjerman në pension, arsyeja kryesore pse retorika agresive e autoriteteve serbe nuk do të zbatohet në praktikë, qëndron kryesisht në faktin se në Kosovë ndodhen rreth 6 mijë ushtarë të NATO-s që kanë mandat nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë.

“Nëse shohim pamjen e gjerë sa i përket kërcënimit nga Serbia – unë flas për situatën e rehatshme strategjike ku gjendet aktualisht Kosova – Kosova ka forcën e NATO-s, gjashtë mijë ushtar të KFOR-it janë brenda […] E di që Vuçiç është shumë i zoti për eskalim, por nuk do të shkonte aq larg sa ta sulmonte Kosovën me të vërtetë”, deklaroi gjenerali Buhler.

Presidenti i Serbisë, më 28 mars, deklaroi se Serbinë e presin “ditë të vështira” në të ardhmen, por pa specifikuar për çfarë “ditë të vështira” realisht bëhet fjalë, ndërsa shtoi se për gjithçka do të flasë më shumë në “ditët në vijim”, duke nxitur komente në rrjetet sociale nëse ai po fliste për mundësinë e përfshirjes së Serbisë në një konflikt të armatosur në rajon.

Në ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, derisa paralajmëroi edhe për riorganizimin e grupit të ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç, i cili organizoi dhe kreu sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore