Lajme

Bugajski: Vuçiç ka mësuar si ta manipulojë BE-në, po s’u përfshinë amerikanët më shumë rrezikohet përsëri konflikt në Ballkan


Janusz Bugajski

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç di si ta manipulojë Bashkimin Evropian dhe ky manipulim i shkon atij për shtati, ka thënë Janusz Bugajskin, gazetari dhe njohësin e dinamikave në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Albanian Post, Bugajski, që ka përvojë shumëvjeçare si konsulent për çështje të Evropës Jug-lindore në organizata të ndryshme amerikane dhe agjenci qeveritare, përshirë USAID e Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, pohon se kjo lloj politike e Vuçiç-it ia ka mundësuar atij që t’i ikë cështjes kryesore për diskutim që është pranimi i faktit se Kosova është e pavarur.

“BE-ja shpenzon shumicën e kohës duke u përpjekur të qetësojë konfliktet e krijuara nga Beogradi. Vuçiç ka mësuar se si ta manipulojë BE-në në avantazhin e tij duke e larguar vëmendjen nga problemi thelbësor – mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia”, thotë Bugajski në një intervistë dhënë gjatë kësaj jave për Albanian Post.

“Ai (Vuçiç) e portretizon Prishtinën si fajtore dhe manipulon zbutjen diplomatike të BE-së ndaj Beogradit”.

Sipas Bugajskit, “fatkeqësisht” as “administrata e Joe Biden nuk është mjaft e angazhuar në rajon dhe ndoshta nuk e kupton plotësisht se mund të rrëshqasë sërish drejt konfliktit të armatosur nëse i lihet BE-së për ta menaxhuar”.

Një element pozitiv shton ai është fakti se meqë në Kosovë vazhdon të ketë trupa të NATO-s, Serbia nuk gëzon as mundësinë më të vogël për sukses ushtarak.

“Për fat të mirë, prania e NATO-s do të sigurojë që Serbia të mos ketë sukses në asnjë konfrontim ushtarak. Megjithatë, pa angazhimin e plotë të Uashingtonit në nxitjen e njohjes reciproke, nuk do të ketë zgjidhje përfundimtare”.

Lexojeni intervistën e plotë të Bugajskit dhënë për Albanian Post.

“Asociacioni është bombë me sahat, recetë për mosmarrëveshje”, intervistë ekskluzive me Janusz Bugajskin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore