Shqipëria

“Bregdeti Ynë”, çliron plazhet


Pamje nga vija bregdetare e Velipojës

E paralajmëroi një ditë më parë me anë të një konference për shtyp.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “ata që nuk kanë leje të lirojnë plazhet. Në të kundërt, do të hiqen me dhunë”.

Më 30 qershor, “Bregdeti Ynë”, një operacion policor i ngritur ndaj objekteve që ndërtuara pa leje në vijën bregdetare, mori përpara edhe shezlonet e subjekteve pa leje për shfrytëzimin e sipërfaqes së rërës.

Nga Velipoja në Vlorë, operacioni vijoi gjatë gjithë ditës.

Task forcat e ngritura, ishin të përbëra nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Komisariatet e Policive lokale, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së territorit dhe Bashkitë përkatëse.

Të shumta, kanë qenë subjektet, të cilat kanë rënë pre e vendimit më të fundit të Qeverisë.

Kështu, në Velipojë, kanë qenë dy subjektet nga 27 të tilla, që kanë pasur problematika. 20 çadra janë hequr dhe 40 shezlonë janë konfiskuar nga këto subjekte.

Në Shëngjin, subjektet e verifikuara deri më tani kanë qenë me dokumentacion të rregullt. Ndërkohë, në Ksamil, nga 37 subjekte, pesë janë verifikuar me shkelje. 20 çadra dhe 95 shezlonë janë konfiskuar prej tyre.

Në Seman, Darzezë dhe Divjakë, janë konfiskuar ndërkaq 157 shezlonë dhe 76 çadra të jashtëligjshme.

Aksion ka pasur edhe në Durrës, por ende nuk ka shifra zyrtare mbi qytetin bregdetar.

Një rast i veçantë kanë qenë subjektet, të cilat kanë kryer aplikimin për leje, por ende nuk janë zhvilluar procedurat. Ato, janë lejuar të vazhdojnë ushtrimin e aktivitetit, duke i krijuar kushtet për vazhdimin e çështjeve administrative.

Vendimi për këtë aksion, vjen fill pas ngjarjes së rëndë në Velipojë, ku katër persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Shkak fillestar i kësaj ngjarjeje, ka qenë pikërisht konflikti për shfrytëzimin e vijës bregdetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore