Lajme

Bosnjë dhe Hercegovinë, policia në kërkim të aktivistit amerikan të ekstremit të djathtë


Policia e Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) po kërkon shtetasin amerikan Robert Rundo, një themelues i një organizate të dyshuar supremaciste të bardhë, që përballet me akuza për nxitje të dhunës në vendin e tij të lindjes.

Shërbimi për Çështjet e të Huajve në BiH, i tha BIRN, se Rundo po kërkohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për nxitje të një trazire dhe pjesëmarrje në dhunë.

Sipas mediave serbe raportohet se Rundo, një nga themeluesit e një organizate të ekstremit të djathtë amerikan të quajtur Lëvizja “Rise Above”, hyri në Bosnjë muajin e kaluar pasi u përjashtua nga Serbia.

Rundo dhe të tjerët akuzohen për sulme fizike ndaj personave që po mblidheshin kundër ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump, në Kaliforni në vitin 2017.

Nga hetimet e deritanishme raportohet se në vitin 2020, Rundo jetonte në disa vende Evropiane dhe, ndërsa ishte në Serbi, regjistroi video me mesazhe të ekstremit të djathtë.

Ai së pari u përpoq të hynte në BiH, përmes kalimit kufitar Raca më 10 shkurt, por u kthye pasi nuk kishte një test negativ PCR.

“Në atë pikë, Policia Kufitare nuk kishte në dispozicion informacionin se Rundo paraqiste një kërcënim për sigurinë kombëtare, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë (AIS) në BiH nuk e dha informacionin në kohë”, tha një këshilltar i drejtorit të policisë kufitarë në BiH, Svevlad Hoffman.

BIRN ka kontaktuar AIS-në, në fillim të marsit por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në fillim të këtij muaji, Gjykata Federale e Apelit e SHBA-së urdhëroi gjykatën që të mos hedhë poshtë akuzat e mëparshme kundër Rundo-s dhe tre burrave të tjerë. Ku tha se ata duhet të gjykohen për rolet e tyre në trazirat në Kaliforni në 2017.

Los Angeles Times raportoi se Rundo dhe të tjerët akuzohen për trazira dhe komplot duke rekrutuar dhe trajnuar njerëz për dhunë.

Byroja Kombëtare e Hetimit (FBI) ka pretenduar se Rundo u pa në një video të publikuar duke rrahur një oficer policie dhe duke sulmuar njerëzit që protestonin kundër Trump-it.

Sipas Projektit Kundër Ekstremizmit, Lëvizja “Rise Above’ u themelua nga Rundo në vitin 2017 si një “bandë supremaciste e bardhë” që përfshinte luftëtarë të përziera të arteve marciale.

Projekti Kundër Ekstremizmit tha se anëtarët e kësaj Lëvizjeje morën pjesë në një tubim të dhunshëm nga supremacistët e bardhë në Charlottesville në gusht të 2017-ës. Ku u vra një kundër-protestues.

Lëvizja pretendon se dëshiron të ringjallë ‘shpirtin luftarak’ të mashkullit të bardhë.

(supremarcist: një person që beson se një grup i veçantë, veçanërisht ai i përcaktuar nga raca, feja ose seksi, është superior dhe prandaj duhet të mbizotërojë shoqërinë).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore