Kosova

“Bosi i kokainës” – Bashkim Osmani lirohet nga burgu në Spanjë


Bashkim Osmani i akuzuar për pastrim të parave nga tregtia e drogës është liruar nga burgu në Spanjë mbrëmjen 31 majit, raporton “Mallorca Zeitung”.

Por, për këtë organizatori i dyshuar i një rrjeti ndërkombëtar të pastrimit të parave të kokainës duhej të paguante një garanci prej 400 mijë eurosh.

Gjykata në Palma de Majorka lëshoi një urdhër të ri duke e zëvendësuar paraburgimin me liri të kushtëzuar.

Osmani nuk lejohet të largohet nga Majorka, po ashtu për të garantuar qëndrimin e tij në ishull i është konfiskuar pasaporta. Ai duhet të paraqitet në Gjykatë në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Osmani u arrestua në një bastisje në mbarë Evropën më 15 shkurt në Kroaci.

Disa persona të afërt me të u prangosen, duke përfshirë gruan dhe vjehrrin e tij. Ai ishte transferuar në Majorka dhe ndodhej në paraburgim në ishull që prej datës 2 mars.

Sipërmarrësi, i cili pretendon se është i pafajshëm, akuzohet se ka pastruar para nga tregtia e kokainës.

Sipas gjetjeve fillestare, të ardhurat thuhet se janë investuar në Majorka nëpërmjet kompanive nga vende të tilla si Kroacia.

Pasuritë e sekuestruara

Më shumë se 30 milionë euro të pastruara, investime në pasuri të paluajtshme në Majorka, 86 piktura vaji me vlerë pesë milionë euro, shtatë makina luksi, 16 orë luksoze, 203,000 euro në para të thata dhe 40,000 në kriptovaluta.

Kjo është pasuria e sekuestruar në Majorka ndaj Bashkim Osmanit, drejtuesi kryesor i rrjetit të pastrimit të parave të çmontuar të martën e kaluar në Majorka. Organizata e kishte grumbulluar këtë pasuri të madhe falë pastrimit të fitimeve të mëdha të marra nga importi i kokainës së sjellë nga Amerika e Jugut.

Në vitet 1990-ta, Osmani tash 55-vjeçar dhe tre vëllezërit e tij kishin bërë pasuri nga patundshmëritë dhe jeta e natës nëpër Hamburg. Ai në Spanjë kishte bërë një jetë mjaft të padukshme vitet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore