Kosova

Borrell: Kam qenë në kontakt me Kurtin, palët janë të gatshme për de-eskalim


Borrell para mediave

Kosova dhe Serbia janë të gatshme që të de-eskalojnë situatën në Veri, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një prononcim për gazetarë para fillimit të mbledhjes së ministrave të shteteve anëtare në Këshillimin Evropian.

Mbledhja e 12 dhjetorit në Strasburg kishte për temë “shkëmbimin e pikëpamjeve të shteteve anëtare për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Iranin dhe informimin e ministrave me situatën në Moldavi dhe në Tunizi”, por Borrell tha se lajmi i fundit janë zhvillimet në Kosovë, edhe pse “ne menduam se pas marrëveshjes së fundit do të ketë qetësi”.

“Unë e di se dy palët janë të gatshme për de-eskalim dhe fuqishëm i thërras të dyja që ta bëjnë. Në këtë rast kam qenë në lidhje me kryeministrin (Albin) Kurti, (Miroslav) Lajcak ka qenë në kontakt me presidentin (Aleksandër) Vuçiç në Serbi”, deklaroi Borrell, shkruan Albanian Post.

Ai ka sqaruar për mediat evropiane se si “serbët e Kosovës i janë përgjigjur arrestimit të një ish-polici me shumë telashe në rrugë, bllokime rrugësh dhe madje edhe hedhje të bombave shokuese ndaj disave nga policëve tanë dhe sic e dini se kjo nuk është e pranueshme”.

Borrell shtoi se për BE-në “kjo dhunë nuk është e pranueshme” dhe se dy palët “duhet të kthehen në dialog, duhet të tejkalojnë luftimet në rrugë”.

Sepse, siç e potencoi Borrell, “kjo nuk është rruga nëpër të cilën arrihet marrëveshja”.

“Nuk është rruga nëpër të cilën vazhdohen bisedimet, nuk është rruga nëpër të cilën kërkohet zgjidhja, nuk është mënyra e të kërkuarit normalizimin e marrëdhënieve ku janë të përfshira”.

Kryediplomati evropian ka përsëritur qëndrimin e BE-së që të largohen barrikadat e vendosura nga bandat në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore