Lajme

Borrell i shkruan letër Gjukanoviç-it: I vlerësoj përpjekjet tuaja afatgjata për ta afruar Malin e Zi në BE


Përfaqësuesi i Larët i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në letrën e tij drejtuar ish-presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, e ka falënderuar për bashkëpunimin e mirë sa ishte në krye të shtetit malazez.

“Unë vlerësoj përpjekjet tuaja afatgjata për të afruar Malin e Zi dhe BE dhe për ta sjell Malin e Zi në atë që është sot – një udhëheqës në procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në letrën e Borrell drejtuar Gjukanoviç-it.

Borrell ka shtuar se sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, “tregon se sa e rëndësishme është të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit”.

“Unë jam i përkushtuar të vazhdoj bashkëpunimin tonë, duke punuar për stabilitet dhe prosperitet, për ta bërë realitet të ardhmen e Malit të Zi në BE, që mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, theksoi ai.

Sipas tij, BE-ja mirëpret pajtueshmërinë e vazhdueshme të Malit të Zi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

“Mali i Zi tregon vazhdimisht se zgjedh rrugën për në BE si drejtimin e tij strategjik dhe të ardhmen për popullin e tij”, shtoi ai.

Diplomati spanjoll ka potencuar se BE-ja e respekton jashtëzakonisht partneritetin e Malit të Zi si fqinj, aleat dhe shtet anëtar i ardhshëm.

Pos Borrell, më 23 qershor edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka luajtur një rol thelbësor në transferimin paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, që është vula e demokracisë.

Ai i kishte dërguar një letër Gjukanoviç-it, në të cilën e falënderonte për dekada të punës në përmirësimin e integrimit euroatlantik të Malit të Zi.

“Gjukanoviç si president dhe kryeministër e udhëhoqi vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe fillimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhej në letrën e Blinken-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore