Lajme

Borrell dhe Varhelji: Presim formimin e një qeverie të re në Mal të Zi, të përparojë drejt BE-së


“Bashkimi Evropian pret formimin e një parlamenti dhe një qeverie në Mal të Zi, e cila do të jetë e përkushtuar për përparim në reformat që lidhen me BE-në, në kohën më të shkurtër të mundshme”.

Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelji.

“I inkurajojmë aktorët politikë në Mal të Zi që të fokusohen shpejt në ndërtimin e një konsensusi për veprimet prioritare të nevojshme për avancimin e Malit të Zi në rrugën e tij drejt BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”, theksojnë Borrell dhe Varhelji.

Ata thanë se Unioni e vlerëson lartë përkushtimin e Malit të Zi në rrugën e anëtarësimit në BE dhe se është janë të gatshëm për mbështetjen e tij për progresin, e cila është dëshirë e shumicës dërrmuese të qytetarëve malazezë.

Borrell dhe Varhelji deklaruan gjithashtu se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit ishin të lira dhe paqësore, sipas konkluzioneve të vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë.

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), lëvizja centriste “Evropa Tani” që udhëhiqet nga Millojko Spajiç, ka fituar rreth 26 për qind të votave (23 mandate).

Sondazhet dhe analistët veçse e kishin parashikuar se “Evropa Tani” që drejtohet nga eksperti financiar Milojko Spajiç dhe presidenti aktual Jakov Milatoviç, do të dalë e para, por pa mandatet e mjaftueshme në Kuvendin e Malit të Zi për ta formuar e vetme ekzekutivin malazez.

Më shumë se 542 mijë qytetarë kanë pasur të drejtë të zgjedhin mes 15 partive dhe kandidatëve prej grupeve pro-perëndimore e deri te ato pro-serbe dhe pro-ruse, ndërsa  këto zgjedhje ishin të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk mori pjesë Milo Gjukanoviç – udhëheqësi më jetëgjatë në rajon.

Mali i Zi është zhvilluar si një shoqëri në një tranzicion të gjatë dhe një demokraci relativisht e qëndrueshme shumë-etnike deri në vitin 2020. Mali i Zi është i vetmi nga pesë vendet post-jugosllave (plus Shqipëria) që i ka hapur dhe mbyllur të disa kapituj në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore