Lajme

Bojkotimi i votimeve në Veri nga Lista Serbe, Gogiç për AP: Strategji për të shpëtuar fytyrën, serbët s’i besojnë më


Foto: Albanian Post

Politologu serb nga Veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç, ka thënë se thirrjet e Listës Serbe për të bojkotuar referendumin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore – të banuar me shumicë serbe – është një lloj strategjie për të “shpëtuar fytyrën” e tyre, derisa konsideroi se serbët e Kosovës nuk i besojnë kësaj partie më.

Këto komente, Gogiç i bëri në një prononcim për Albanian Post, ku theksoi se arsyeja se pse Lista Serbe dhe disa parti të tjera të serbëve të Kosovës kanë bërë thirrje që të bojkotohet referendumi për shkarkimin e kryetarëve në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut është vështirësia për t’i siguruar 50 për qind e votuesve, çka janë të nevojshme në mënyrë që votimi për shkarkim të ketë sukses.

“Bojkoti është një lloj strategjie daljeje apo strategjie për të shpëtuar fytyrën, sepse ato parti serbe konsideruan se do të jetë shumë e vështirë të arrihet pragu, pra të dalin mbi 50 votues për të votuar për shkarkimin apo kryetarët e komunave. Prandaj, në fakt është më e leverdishme që ata të bëjnë thirrje për bojkot pastaj të marrin pjesë në referendum dhe t’i japin legjitimitet pa arritur rezultatin e dëshiruar”, tha Gogiç për AP.

Ai ka vlerësuar se ka pengesa të dukshme që do ta vështirësonin suksesin në referendum. Së pari, sipas tij, “numri i votuesve në regjistrin e zgjedhësve duket se është i fryrë”.

“Së dyti, shumë serbë e lanë Kosovën veriore gjatë viteve të fundit për shkak të gjithë jostabilitetit. Gjithashtu ata që jetojnë atje ende ndoshta nuk ndihen mjaft të sigurt për të dalë për të votuar ose nuk shohin asnjë qëllim për ta bërë këtë”, potencon ai.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë shprehur keqardhje për thirrjen e Listës Serbe dhe partive të tjera për të bojkotuar referendumin, derisa kanë kërkuar që ky veprim të rishqyrtohet.

“Njerëzit në Veri mendojnë se votimet në referendum nuk janë të dobishme sepse mendojnë se qeveria do të gjente një mënyrë për të penguar rezultatet dhe për t’i mbajtur kryetarët në zyra megjithatë”, potencon analisti serb nga Veriu.

Ai vlerëson se do të jetë e vështirë që të mobilizohen serbët që të dalin dhe të marrin pjesë në referendum.

“Megjithatë, kjo do të thotë se duhen më shumë përpjekje për të arritur largimin e kryetarëve të komunave. Partitë serbe nuk duan të bëjnë përpjekje. Ata duhet të përpiqen më shumë për t’u shpjeguar njerëzve pse është e rëndësishme të votojnë. Ata ndoshta do të duhet të organizojnë njerëzit që të vijnë të votojnë”, shtoi.

Por, sipas politologut nga Veriu, “problemi është se njerëzit nuk u besojnë më atyre”, pasi që konsideron se “ata janë thjesht dembelë, kështu që në fund të fundit e kanë më të lehtë të thonë të bojkotojmë”.

Ndryshe, katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shkarkohen nga detyra nëse 50 për qind, plus 1 votues, voton për largimin e tyre më 21 prill.

Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Veri janë 46 mijë e 248 votues. Nëse edhe kjo fazë kalon suksesshëm, atëherë organizohen zgjedhjet për kryetarë të rinj.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore