Kosova

Blinken thirrje Kosovës dhe Serbisë: Shmangni tensionet, rrisni bashkëpunimin me Perëndimin


Antony Blinken

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia të shmangin tensionet në terren, të rrisin transparencën dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, Blinken, ka ripërsëritur qëndrimin Amerikan se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja mënyrë e besueshme për përparimin në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne duam të shohim vullnet të mirë dhe një qasje konstruktive nga të dyja palët”, ka pohuar Blinken.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar nga të dyja palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që janë derivat i procesit të dialogut.

“Ballkani Perëndimor është diçka që na është për zemër, veçanërisht për presidentin amerikan Joseph Biden. Për presidentin dhe mua, si dhe për botën, fokusi në vitet 1990 ishte në Ballkan, në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Ajo që nuk na duhet, sidomos jo qytetarëve të rajonit, është kthimi në të kaluarën, kthimi në vitet nëntëdhjetë”, ka theksuar Blinken.

Në Kosovë këtë javë për vizitë qëndroi i deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Top-diplomati amerikan takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

Ai deklaroi para gazetarëve, pas takimit, se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përveçse u shkaktoi vështirësi pjesëtarëve të komunitetit serb, shtoi plasaritje të reja në marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës.

Escobari e cilësoi “urgjencë humanitare” rregulloren e ndryshuar të BQK-së, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit kosovar, megjithëse shtoi se shpreson që Qeveria e Kosovës t’i marrë parasysh propozimet dhe këshillat amerikane.

Ndërsa të premten në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, diplomati amerikan, potencoi se e nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, tha Escobar.

Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel, më 19 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore