Lajme

Blinken: NATO-ja diskutojë mënyrat se si mund të mbështetet e ardhmja euro-atlantike e Ballkanit Perëndimor


Antony Blinken

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka theksuar se Aleanca Veri – Atlantike, në takim ndër të tjera ka diskutuar për mënyrat se si mund të mbështetet e ardhmja euro-atlantike e Ballkanit Perëndimor.

Takimi Ministror, sipas Blinken, ka konfirmuar edhe njëherë se NATO-ja është e bashkuar.

“Ne prekëm shumë tema gjatë Takimit të Ministrave të Jashtëm – nga pritshmëritë tona në Samitin e Uashingtonit vitin e ardhshëm, te mënyrat se si mund të thellojmë partneritetin tonë me Ukrainën, deri te mënyra se si mund të ndihmojmë në mbështetjen e të ardhmes euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Blinken shkurtimisht në platformën sociale, X.

Në anën tjetër shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka bërë të ditur se i ka njoftuar kryediplomatët mbi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Progresi i palëve është i nevojshëm”, shkroi ai në platformën sociale, X.

Diplomati spanjoll, ndër të tjera, potencoi se ka pasur biseda të rëndëdishme me Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-së për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, pas takimit, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga ana e Bashkimit Evropian, si të vetmen platformë ku mund t’i normalizojnë raportet.

Kryediplomati kroat ndër të tjera kërkoi nga Serbia që të ndalojë çdo përpjekje për ta destabilizuar Kosovën.

“Këto përpjekje nuk janë të papranueshme”, pohoi Radman.

E ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një prononcim të shkurtër për media pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, bëri të ditur se Gjermani do të dërgojë rreth 150 trupa shtesë në Kosovë në javët në vijim.

“Misioni EUFOR garanton sigurinë në Bosnje e Hercegovinë dhe KFOR-i në Kosovë. Gjermania do të kontribuojë deri në 150 trupa shtesë për KFOR-in”, tha shkurt ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore