Lajme

Blinken me letër falënderuese për Gjukanoviç-in: Keni rol historik në udhëheqjen e Malit të Zi


Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka luajtur një rol thelbësor në transferimin paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, që është vula e demokracisë.

Ai i ka dërguar një letër Gjukanoviç-it, në të cilën e falënderonte për dekada të punës në përmirësimin e integrimit euroatlantik të Malit të Zi.

“Gjukanoviç si president dhe kryeministër e udhëhoqi vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe fillimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në letrën e Blinken-it, transmeton media malazeze “Vijesti”.

“Pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, ju keni luajtur një rol thelbësor në transferimin paqësor të pushtetit – që është shenjë dalluese e demokracisë. Faleminderit për udhëheqjen dhe punën tuaj”.

Ai potencoi se pret me padurim angazhimin e vazhdueshëm, duke shtuar se vlerëson mbështetjen e palëkundur të Gjukanoviç-it për progresin euroatlantik të Malit të Zi, një demokraci të gjallë, multikulturore dhe rolin e një aleati aktiv në NATO, i përkushtuar për përfundimin e reformave të nevojshme për pranimin në BE.

Në letër, Blinken përsëriti shprehjet e tij të respektit për udhëheqjen historike të presidentit Gjukanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore