Shqipëria

BKH-ja mbërrin në Portin e Durrësit pas kapjes së 31 kilogramë kokainë


Byroja Kombëtare e Hetimit ka mbërritur në Portin e Durrësit të dielën e 6 nëntorit për të shoqëruar kërkimet e efektivëve të Policisë.

Kjo, pas informacioneve me agjencitë ndërkombëtare mbi sasi të tjera të mundshme të drogës në këto kontejnerë.

Më herët, u kap një sasi prej 31 kilogramësh e lëndës narkotike kokainë, e cila ishte fshehur në një kontejner me banane.

Gjykata e Durrësit vendosi të lërë të paktën për 45 ditë në qeli tre të arrestuarit pas zbulimit të ngarkesës.

Masa u dha për dy punonjësit e portit me detyrë operatorë skaneri, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj si dhe për Petrit Demishajn, administratorin e kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane.

Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotike” si dhe “falsifikim kompjuterik”.

Masa u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se të akuzuarit kanë përjashtuar veten nga çdo akuzë.

Sipas burimeve të Albanian Post pranë Policisë së Shtetit, lënda fillimisht ishte pikasur nga agjencitë e huaja partnere, të cilat kanë njoftuar autoritetet shqiptare mbi përmbajtjen e kontejnerit me banane.

Konkretisht, kokaina ishte fshehur brenda kapakëve të frigoriferit të një kontejneri.

Me kapjen e kësaj sasie, vijojnë ndërkohë edhe kërkimet në kontejnerë të tjerë, ku dyshohet se mund të ketë lëndë narkotike të fshehur.

Ky është i disati rast në Shqipëri, ku muaj më parë ka pasur edhe kapje të njëpasnjëshme nga Policia shqiptare, pikërisht në kontejnerë bananesh.

Rasti i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u bë flagrant, ku në ngarkesat e tyre ishte kapur në pak muaj, gjashtë herë kokainë, brenda kontejnerëve me banane.

Pse trafikantët e kokainës i duan bananet?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore