Lajme

Bjellorusi/ Liderja e opozitës akuzohet për terrorizëm


Autoritetet e Bjellorusisë njoftuan të hënën më 29 mars, për një hetim penal kundër figurës kryesore të opozitës së vendit, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Ajo akuzohet për terrorizëm, një veprim ky, që pason një goditje të gjerë të policisë ndaj protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësit autoritar të vendit.

Prokurori i Përgjithshëm i Bjellorusisë ,Andrei Shved, tha se zyra e tij ka nisur një hetim penal kundër Tsikhanouskaya.

Ajo ishte kandidatja kryesore e opozitës, që sfidoi presidentin Alexander Lukashenko, në një votim presidencial në gusht.

Ajo u shfaq si një sfidë e frikshme për presidentin Lukashenko. Menjëherë pas zgjedhjeve, Tsikhanouskaya shkoi në Lituaninë fqinje dhe që, prej asaj kohe, është në mërgim.

Shved tha në një deklaratë se Tsikhanouskaya dhe disa njerëz të tjerë të paidentifikuar dyshohen se u përpoqën të organizonin shpërthime dhe sulme zjarrvënie në kryeqytetin bjellorus.

Një zëdhënëse e Tsikhanouskaya, e cila u detyrua të linte vendin për në Lituaninë fqinje pas zgjedhjeve, hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “absurde”.

Mandati i gjashtë në detyrë

Bjellorusia është përfshirë nga protestat, që kur rezultatet zyrtare nga votimi i gushtit i dhanë Lukashenkos një mandat të gjashtë në detyrë.

Demonstratat masive të shkaktuara nga votimi ishin shfaqja më e madhe dhe më këmbëngulëse e opozitës që ish-republika Sovjetike ka parë ndonjëherë.

Më shumë se 33 mijë njerëz u arrestuan gjatë protestave dhe shumë prej tyre u rrahën barbarish nga policia.

Javën e kaluar, Tsikhanouskaya bëri thirrje për një valë të re të tubimeve anti-Lukashenko.

Autoritetet Bjelloruse kanë akuzuar më parë Tsikhanouskaya-n, për komplot të trazirave të dhunshme.

Në fillim të këtij muaji, Lituania hodhi poshtë kërkesën e Bjellorusisë për ekstradimin e Tsikhanouskaya, me ministrin e jashtëm të vendit balltik që tha se “ferri do të ngrijë së pari”.

Protestat masive 

Më shumë se 200 njerëz u arrestuan në të gjithë Bjellorusinë të enjten më 26 mars, gjatë protestave kundër presidentit, Alexander Lukashenko.

Në kryeqytetin, Minsk, kjo ishte pjesëmarrja e parë e konsiderueshme e demonstruesve, që kur protestat kanë filluar.

Ulja e temperaturave dhe ushtrimet e dhunës nga autoritetet policore, patën çuar në rënie të konsiderueshme të numrit të protestuesve .

Për të shmangur arrestimet në shkallë të gjerë, grupe të vogla marshuan nëpër oborre dhe rrugë dytësore. Policia vendosi forca të shumta në qendër të Minskut. Videot në mediat sociale treguan se policia arrestonte njerëzit, që mbanin flamuj me emblemën e opozitës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore