Lajme

Bjellorusi/ Kërkohet ekstradim për lideren e opozitës


Shteti i Bjellorusisë i ka kërkuar Lituanisë ekstradimin e udhëheqëses së opozitës dhe ish-kandidates presidenciale, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Lajmi bëhet i ditur nga Prokurori i Përgjithshëm i vendit.

Autoritetet bjelloruse i kanë dërguar një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Lituanisë, për të ekstraduar Sviatlana Tsikhanouskaya, për ndjekje penale për krime kundër rendit të qeverisë, sigurisë publike dhe shtetit.

Tsikhanouskaya ishte kandidate presidenciale në zgjedhjet e diskutueshme të Bjellorusisë në gusht të 2020-ës.

Ajo u shfaq si një sfidë e frikshme për presidentin Alexander Lukashenko.

Menjëherë pas zgjedhjeve, Tsikhanouskaya shkoi në Lituaninë fqinje dhe që, prej asaj kohe, është në mërgim.

Vendimi është dënuar nga ish-ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevičius, i cili ka shkruar në median sociale Twitter se, “po afron koha kur autoritetet bjelloruse do të duhet të ekstradohen në Gjykatën Ndërkombëtare, për brutalitet, mizori dhe krime kundër Bjellorusisë dhe qytetarëve të saj”.

Vendet perëndimore kanë denoncuar shtypjen e protestës, duke lëshuar sanksione kundër drejtuesve të lartë politikë në vend.

Tsikhanouskaya mori çmimin Sakharov të BE-së, dhënë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirinë e mendimit, vitin e kaluar.

Reagimet mbi zgjedhjet elektorale

Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel, dënoi sjelljen e qeverisë bjelloruse kundrejt protestave që po zhvillohen në vend.

Ajo kërkoi lirimin e të burgosurve politikë dhe premtoi për ta mbështetjen e qeverisë gjermane.

Autoritetet në Bjellorusi kanë goditur protestat që po zhvillohen që në gusht të 2020-ës.

Në nëntor, BE-ja vendosi sanksione ndaj presidentit Alexander Lukashenko dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.

Protestuesit në Bjellorusi kanë marshuar vazhdimisht kundër Lukashenko-s, që kur ai pretendoi një fitore të madhe në gusht dhe opozita e akuzoi atë për mashtrim elektoral.

Opozita atje refuzon të njohë fitoren e Lukashenkos, i cili drejton vendin që nga viti 1994.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime kundër abuzimit të të drejtave të njeriut në Bjellorusi, përfshirë torturat ndaj të burgosurve politikë dhe persekutimin e gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore