Shqipëria

Bizneset pranë detit marrin frymë sërish


“Për t’iu kthyer me të gjitha fuqitë jetës, e për të rritur ekonominë e saj duke filluar nga sezoni turistik”.

Këto qenë fjalët e kryeministrit Edi Rama, të hënën e 12 prillit, teksa priti 7 mijë e 20 doza vaksinash në Shqipëri.

Fill, pas pesë ditësh nga deklarata e numrit një të qeverisë në Shqipëri, nisi edhe inokulimi i vaksinave tek operatorët turistikë.

Në prag të sezonit turistik

Më herët, kryeministri ka bërë me dije se sezoni turistik 2021 do të jetë me masa tejet lehtësuese.

Sipas tij, vaksinimi i të punësuarve në sektorin e turizmit, do të rrisë sigurinë në mospërhapjen e virusit dhe një numër më të lartë turistësh.

Pas një vere të vështirë, si ajo e vitit 2020, pronarët e bizneseve afër detit Adriatik dhe Jon shprehen optimistë për sezonin e ardhshëm.

Tanimë, bizneset apo shërbimet në plazhet e Shqipërisë kanë nisur përgatitjet për të pritur turistë nga të gjitha vendet e Evropës.

Antonio Nika, pronar i një hoteli në plazhin e Velipojës, për Albanian Post (AP) shprehet se kanë nisur rezervimet e dhomave nga turistët e huaj. Ai zbulon se numrin më të madh e zënë kërkesat nga shqiptarët e Kosovës.

Çfarë ndodhi në 2020-n?

Duke u kthyer pas në kohë, për AP-në Nika zbulon se, në sezonin turistik të vitit 2020, një rol kyç në mbijetesën e bizneseve kanë luajtur pushuesit vendas dhe ata nga kufiri i hapur me Kosovën.

“Viti që kaloi, ishte i vështirë. Fatmirësisht, kemi pasur turistë nga Shqipëria dhe Kosova”.

Një tjetër pronar, i dy bizneseve shërbimi në jug të vendit (Ksamil dhe Sarandë), Fernando Brahimi, shprehet për AP-në se, gjatë vitit 2020, fitimet u përgjysmuan.

Kjo, sipas tij, ka ndikuar në mënyrë direkte te shpenzimet familjare apo individuale.

“Mua më kanë rënë të ardhurat pothuajse 50%. Ato që konsumoja më parë, s’i konsumoj dot tani, sepse kur marr më pak, do prish më pak”, thotë ai.

Të njëjtën gjë shpreh edhe Flori Malaj, pronar i një marketi në plazhin e Velipojës. Viti që lamë pas, ka qenë më i vështiri për biznesin e tij familjar.

“Ndonëse e çelëm sezonin më 1 maj, në fund, kur bëmë mbylljen në shtator, vetëm gushti na rezultonte me fitim. Muajt e tjerë thjesht sa për të mbuluar shpenzimet”.

Gjithsesi, ai është optimist për sezonin turistik 2021. Malaj shprehet i gatshëm të bëjë vaksinën dhe të rifillojë punën normalisht si vitet e tjera.

“Një mbyllje e dytë do të ishte fatale”, u shpreh ai.

“Për sa u përket pritshmërive, ato janë të larta”, thotë Nika.

Ai parashikon që turizmi i vitit 2021 do të jetë më i vrullshëm sesa ai i vitit 2019 dhe, në këtë mënyrë, mund të kompensohen humbjet gjatë pandemisë.

“Ne shpresojmë të kompensojmë humbjet e vitit të kaluar”.

Nga ana tjetër, Brahimi shprehet se viti 2020 ka qenë i vështirë për ekonominë. “Plaga që ka shkaktuar pandemia”, thotë ai, “do të zgjasë edhe disa vite. Nuk mund të presim të rikuperohemi tani shpejt”.

“Shanset që turizmi këtë vit të jetë po ai, si në 2019-n, janë të vogla. Plaga që ka lënë kjo sëmundje në ekonomi, besoj se do të zgjasë deri në 2025-ën”.

Françesk Nika, pronari i një restoranti në plazhin e Shëngjinit, shprehet se pret që fluksi i tij i punës të rritet gjatë këtij viti.

Bazuar te fjalët e kryeministrit, që masat do të lehtësohen, ai ka shtuar numrin e punëtorëve dhe po bën përgatitjet e fundit për çeljen e sezonit veror.

Nga ana tjetër, Nina Moçi, menaxhere e një resorti në Durrës, shpreh frikën edhe për këtë sezon turistik.

Ajo thotë që, nëse pandemia del jashtë kontrollit siç po ndodh në disa vende të Evropës. Apo vaksinat nuk administrohen aq sa duhet, edhe nëse hapet Shqipëria, vendet e tjera do të jenë të mbyllura.

“Nëse nuk hapen rrugët me Diasporën, mori fund turizmi në Durrës dhe Shqipëri”.

Në përgjithësi, biznesmenët dhe pronarët e kompanive të shërbimit janë shpresëplotë për një përmirësim të ekonomisë së tyre. Pandemia dhe masat, të cilat erdhën me të, ishin deri diku fatale për shumë biznese. Por, për persona si Brahimi, ka gjëra më të rëndësishme se ekonomia.

“Gjithsesi, shëndeti për të gjithë një herë dhe shpresojmë që më e mira do bëhet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore