Lajme

Bislimi takon emisarin Francez, diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë


Rene Troccaz dhe Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, të mërkurën ka njoftuar se ka takuar të deleguarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Bislimi ka potencuar se në takim me diplomatin francez ndër të tjera janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit në vend.

“Dita e djeshme u dallua me takime dhe diskutime të rëndësishme, duke përfshirë të dërguarin special, Rene Troccaz, të cilën e mirëpritëm në Kosovë. Ne trajtuam një sërë temash, me fokus në zhvillimet e fundit. Kosova dhe Franca ndajnë një lidhje të fortë, ndërsa ne vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet tona”, ka shkruar Bislimi.

Troccaz gjatë qëndrimit në Kosovë është mirëpritur edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Osmani ka potencuar se me diplomatin francez ka diskutuar për rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike.

“Zhvilluam një bisedë të mirë për zhvillimet e fundit dhe hapat përpara, për rrugëtimin e Kosovës drejtë institucioneve euroatlantike, si dhe për përkushtimin tonë të përbashkët drejt forcimit të partneritet të qëndrueshëm në mes të Kosovës dhe Francës”, ka shkruar Osmani pas takimit.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe vetë Troccaz, i cili ka deklaruar se Franca mbështet përpjekjet e Kosovës për paqe dhe stabilitet.

Ndryshe Troccaz, bashkë me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, të martën kanë vizituar Manastirin e Deçanit.

Qeveria e Kosovë, javë më parë urdhëroi që Agjencia Kadastrale ta ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarë tokë t’i barten Manastirit të Deçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky ishte kushti për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore