Lajme

Bislimi – Qeverisë: Kuptojeni drejt reagimin e ShBA-së, shikoni pak matanë gardhit


Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-anëtar i kryesisë së kësaj partie që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Faton Bislimi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta kuptoj drejt ShBA-në, pasi zyrtarët e saj e kritikuan ashpër Qeverinë, kur policia asistoi kryetarët e ri të Leposaviq-it, Zveçanit dhe Zubin Potokut të futen në zyrat e tyre.

“Prandaj, ju lutem, kuptojeni drejtë reagimin e ShBA-ve. Kuptojeni drejtë situatën gjeopolitike. Shikoni pak matanë gardhit”, shkroi ai në Facebook.

“Asnjëherë veprimet tona sipas këshillave miqësore amerikane nuk kanë sjellë të këqija për Kosovën. Gjithherë kanë sjellë fitore, si dje, sot ashtu do jetë edhe nesër”.

Ai ka kërkuar që marrëdhënia me ShBA-në të ruhet “si sytë e ballit”.

“Gjithçka tjetër, druaj, se na dërgon në qorrsokak të padëshiruar. Askush, as Amerika, nuk është kundër rendit e ligjit. Por është momentumi ai që në politikë përcakton suksesin”.

Sipas Bislimit, nuk është koha e reagimeve me dykuptimësi, siç bënë sot shumica e liderëve politikë në vend.

“Kur në pyetje është interesi shtetëror i vendit, pozicionimet duhet të jenë të qarta si kristali. Amulli kemi boll. Kjartësi na duhet. Ndërtesat nuk përcaktojnë as fuqinë e vendimmarrjes e as efektshmërinë e pushtetit. Këto atribute i përcakton zbatueshmëria në terren”.

“E kur dihet fare mirë që kemi të bëjmë me një shtet të prirë për brutalitet e agresion, kriza e konflikte, dhe mbi të gjitha një shtet lojal të Putinit, që nuk heziton të katandisë krejt Ballkanin edhe njëherë duke u thirrë në “mbrojtjen e serbëve në veri të Kosovës, syçelësia jonë duhet të jetë maksimale dhe vizionare”.

Prandaj sipas tij, një katandisje eventuale e tillë nuk i konvenon aspak jo vetëm Kosovës, por as Amerikës dhe krejt Perëndimit, që tërthorazi është veçse në konflikt të hapur me Rusinë.

Reagon Blinken: E dënojmë fuqishëm aksionin e Qeverisë së Kosovës, Kurti të ndalet

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër atë çfarë ka ndodhur këtë të premte në Veri të Kosovës, kur policia asistoi kryetarët e ri të Leposaviq-it, Zveçanit dhe Zubin Potokut të futen në zyrat e tyre.

“Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në veri dhe po rritë pasigurinë”, ka thënë Blinken.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të tërhiqet menjëherë.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, shkroi Blinken në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore