Lajme

Bislimi: Qeveria ka ndarë mjete që synojnë promovimin e shqiptarëve në Luginë, e parandalimin e shpopullimit


Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në Luginë të Preshevës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se për herë të parë Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete për Luginën e Preshevës sa i përket përkrahjes financiare me bursë për studentët.

Përmes një shkrimi në rrjetin social, ‘Facebook’ Bislimi, ka bërë të ditur numrin e garantëve që janë ndarë.

“78 grante për projekte në vlerën totale mbi 1 milionë euro dhe përkrahje financiare me bursë për studentët, ku 107 të rinj e të reja do të përfitojnë bursë vjetore në shumë prej 1.000 euro, në vlerën totale prej 107 mijë euro. Për herë të parë, kemi ndarë mjete për Luginën në këto përmasa”, ka shkruar Bislimi.

“Gjatë këtij viti, kemi siguruar e dërguar për herë të parë libra në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës, në vlerën prej 255 mijë eurove”.

Ai ka theksuar se e gjitha kjo bëhet për shkak të “ruajtjes e kulturës së identiteti”, që sipas Bislimit “është jetike për Luginën e Preshevës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ndan mjetet financiare që kanë synim promovimin e interesave të shqiptarëve në Luginë, e parandalimin e shpopullimit të vendit”.

Bislimi, sqaroi se zbatimi i projekteve përfituese fillon nga muaji janar, ndërsa tregoi edhe për përzgjedhjen.

“Përzgjedhja është përfunduar në baza meritore dhe duke patur parasysh tre kritere: arsyeshmërinë e buxhetit, kapacitetin për zbatim të projektit të propozuar dhe relevancën e projektit me kërkesat e thirrjes”.

Kurse, ka theksuar se Lugina ka një vend unik tek Qeveria e Kosovës.

“Vëmendja jonë ndaj Luginës zë një vend të veçantë. Përkrahja jonë vjen si rezultat i përkushtimit dhe angazhimit ndaj të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës”.

Sipas zëvendëskryeministrit, “është mbajtur premtimi për ndarjen e mjeteve për Luginën e Preshevës”.

Ai premtoi se iniciativa të tilla nuk do të mungojnë as gjatë viteve të ardhshme.

“Kur Lugina thërret, ne gjithmonë do të përgjigjemi”.

Ndryshe, pas dy dekadash shqiptarët që jetojnë në pjesë e Luginës së Preshevës kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Bazuar në rezultatet e para, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare ka më shumë se 100 mijë banorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore