Lajme

Bislimi jep dorëheqje nga kryesia e LDK-së, kritikon Abdixhikun: Partia vetëm po tkurret konceptualisht


Faton Bislimi

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka dhënë dorëheqje nga kryesia e LDK-së.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Bislimi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke treguar edhe arsyet që e shtynë ta marrë këtë vendim, siç tha ai për shkak se “partia vetëm po tkurret konceptualisht nën qasjen e kreut të tanishëm” të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit”, shkroi Bislimi.

Ndërkaq, ai shtoi se “zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfitueseve e tregtarëve politikë”.

“LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, qëndroj i palëkundur edhe tash e tutje!”, shpjegoi tutje ai arsyet e dorëheqjes.

Bislimi vlerëson se LDK-ja nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut po tkurret konceptalisht, paçka se thotë se ka qenë optimist në fillim.

“Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën qasjen e kreut të tanishëm. Sikur shumë të tjerë, edhe unë personalisht kam qenë shpresëplotë në këtë lidership; nuk e mohoj. Jam përpjekur të bëj punën time, kam shpreh shqetësimet në forumet e partisë (qoftë edhe në rastet e rralla që një mundësi e tillë na është dhënë). Moskonsiderata e personalizimi i skajshëm i udhëheqjes së partisë ka vazhduar”.

“Jo më! Jo me mua, të paktën!”, pohoi ai.

Ndërsa, ish-deputeti jep vlerësime maksimale për presidentin historik të Kosovës, njëherësh edhe ish-kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova, ku edhe thotë se vizioni i tij ka qenë frymëzim për të.

“Është pikërisht kjo figurë emblematike e kombit tonë që më ka dhënë e vazhdon të më jep frymëzim për të ardhmen dhe politikën. Janë urtësia e vizioni i palëkundur politik që shpërfaqte Presidenti Rugova si virtyte të politikës që do duhej të lartësoheshin sot”.

“Dhe, pikërisht, për ta bërë këtë, unë lirohem nga këto pozita partiake, ashtu që me secilin që beson në LDK-në autentike rugoviste, në vizionin djathtist kombëtar, bazuar në urtësi politike, të mund të punojmë bashkërisht për interesin e kauzën kombëtare, e jo për tekamendjet e dikujt që pozitën personale e sheh si qëllim politik e nënshtrimin e përdorimin oportunist të të tjerëve si virtyt politik”, pohoi ai.

Nga LDK-ja kishte dhënë dorëheqje edhe nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi.

Bislimi kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në legjislaturën e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore