Kosova

Biserko në tryezën për marrëveshjen e Ohrit: Në Serbi problem për pajtim me Kosovën është nacionalizmi


Sonja Biserko

Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë diskutimi në tryezën e organizuar Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), në bashkëpunim me Universitetin “Johns Hopkins”.

Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkut për të drejtat e njeriut në Serbi, si problem kryesor në Serbi për pajtim me Kosovën e konsideroi nacionalizmin.

“Sa i përket Serbisë, do të thosha, meqë u përmend pajtimi, problemi është se kemi nacionalizëm dhe kujtesë kulturore”, tha fillimisht ajo.

Tutje, Biserko shprehet optimiste se nuk do të ketë konflikt në mes të Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu thotë se “ka potencial për një gjë të tillë”.

“Ne jemi në një lloj okupimi nga mediat e Vuçiç-it dhe OJQ-të e tij”, tha ajo.

Edward Joseph, analist amerikan dhe ligjëruesi në Universitetin “Johns Hopkins”, duke folur për marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit, në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht tha se “marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe se fokusi duhet të jetë në zbatim”, por shtoi se ka edhe “paqartësitë” e veta.

“Tani, këtu qëndrojmë formalisht, realiteti joformal dhe kontekstual, i njohur nga të gjithë në këtë sallë, dhe nga miqtë dhe kolegët tanë gjetkë në Kosovë dhe në Beograd, të gjithë i dinë sfidat e mëdha. Numër një, paqartësia e vetë marrëveshjes”, tha fillimisht ai.

Edward P. Joseph: 'Serbia is the problem in the Balkans' – Serbian Monitor

Ndërkaq, Joseph shtoi se vetë fakti që ka boshllëqe, ka edhe elementë që nuk specifikohen, “detaje të paspecifikuara, paqartësi që krijojnë pikëpyetje”.

“Numri dy është, natyrisht, statusi i marrëveshjes, fakti që ajo nuk u nënshkrua, fakti që nuk pati shtrëngim duarsh mes palëve dhe kontekstualisht, fakti që dëgjojmë një rrjedhë negativiteti për marrëveshjen, që sigurisht nuk është inkurajuese, dhe jo ajo që është standarde në çdo negociatë të suksesshme ndërkombëtare”, nënvizoi ai.

Ndërsa, drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, tha se “shpresoj se për 100 ditë, të dyja vendet do të kompletojnë obligimet e tyre”.

Gazeta Metro – Lulzim Peci: E poshtër përpjekja për ta paraqitur SHBA'në si  mike të Serbisë dhe armike të Kosovës

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar. Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore