Muzikë

Billie Eilish e quan “të rrezikshëm” trendin e ri të fansave që hedhin gjëra në drejtim të artistëve


Hedhja e objekteve të ndryshme në drejtim të artistëve përgjatë kohës së performancës së tyre në skenë ka filluar të bëhet një trend i llojit të vet, teksa numri i yjeve botërore që prekur nga kjo situatë vazhdon të rritet.

Karshi këtij fenomeni të shëmtuar, së fundmi ka reaguar edhe këngëtarja amerikane, Billie Eilish, e cila ka zbuluar se edhe vetë ka qenë viktimë e një sjelljeje të tillë të publikut dhe të njëjtin e ka konsideruar “të rrezikshëm”.

“Unë jam goditur në skenë me gjëra të tilla për gjashtë vjet”, ka thënë artistja për Hollywood Reporter në premierën botërore të “Barbie”, transmeton AlbanianPost.

Ndërkohë, për Eilish, trendi i ri lë përshtypje të re, ani pse personalisht, e kishte provuar vite me radhë dhe shumë më parë.

“Nuk e di pse kjo është si diçka e re. Ndonjëherë njerëzit thjesht emocionohen dhe kjo mund të jetë e rrezikshme”, ka shtuar ajo.

Ajo nuk është e panjohur për koncertet e shoqëruara me performanca “live”, pasi që e njëjta ka performuar prej kur kishte qenë 15-vjeçe.

Pas suksesit të këngës së saj hit “Ocean Eyes”, këngëtarja publikoi albumin e saj të parë të plotë në studio, “When We All Fall Sleep, Where Do We Go”, në 2019.

Megjithatë, ajo kishte kryesuar tashmë turneun e saj të parë, “Don’t Smile At Me”, në vitin 2017, për të korresponduar me EP-në e saj debutuese me të njëjtin emër.

Që atëherë, Billie ka vazhduar të kryesojë pesë turne koncertesh shtesë gjatë gjithë periudhës së karrierës së saj muzikore deri më tani.

Turneu i saj i fundit, i titulluar “Happier Than Ever”, ishte dy vjet më parë.

Harry Styles mbetet këngëtari i fundit që është goditur në skenë, teksa ai iu bashkua listës së artistëve që së fundmi janë goditur nga objektet teksa performuan në skenë: Drake, Bebe Rexha, Kelsea Balerini dhe Ava Max.

Rexha dhe Drake ishin sulmuar me celularë që u hodhën në skenë, ku Bebe pësoi një dëmtim të rëndë në sy.

Në anën tjetër Balerini u godit në fytyrë në qershor kur një byzylyk iu hodh në drejtim të saj ndërsa ajo po performonte, duke e bërë atë të ndalonte këngën dhe të dilte nga skena, dhe Max u godit në fytyrë nga një pjesëmarrës i koncertit, i cili depërtoi skenën përpara se të hiqej nga ekipet e sigurimit.

Incidentet në rritje kanë ngjallur protesta nga artistë të tjerë si Adele, e cila i tha audiencës së saj në Las Vegas në fillim të këtij muaji që “të ndalojnë së hedhuri gjëra mbi artistët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore