Bota

Biden zgjeron paketën shëndetësore


Është urdhëruar rihapja e paketës Affordable Care Act (ACA), njohur ndryshe si ObamaCare, nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden. Me anë të kësaj lëvizjeje, pritet të mbulohen më shumë shpenzime dhe të ofrohen falas më shumë shërbime për amerikanët.

Ky vendim i Biden-it, vjen si një ndihmë që i jepet atyre që janë prekur më së shumti nga pandemia. Një pjesë e mirë e amerikanëve që humbën punën, nuk mbulojnë dot më sigurimet shëndetësore.

Do të ketë mandate të veçanta edhe për personat që kanë sëmundje kronike apo të lindura. Këto ishin rrëzuar më parë nga ish-presidenti, Donald Trump. Xhepat e amerikanëve u rënduan ndjeshëm për shkak të kostos së lartë që sistemi shëndetësor në SHBA ka.

Nga ana tjetër, Biden-i ka limituar disa pika të programit shëndetësor të Trump-it, Medicaid. Një pjesë e shtrëngimeve, lidhen me procedurat e shumta që njerëzit më të varfër duhet të kryejnë për të përftuar kujdes shëndetësor. Disa shtete i kishin bërë shumë të vështira procedurat e aplikimit për përftim të paketave të ndihmës.

Pikë tjetër me rëndësi, është heqja e një zëri që çon paratë e taksapaguesve, në klinika që kujdesen për abortin. Me ligjin e shkuar të administratës Trump, fonde shkonin për këto klinika, brenda SHBA-së edhe jashtë saj.

Në një dalje për mediat, presidenti Biden, shpjegoi se ACA, është programi më i rëndësishëm për SHBA-në. Mbi të gjitha, në këto çaste të vështira të pandemisë. “Duhet të zhbëjmë dëmin që ka shkaktuar Trump-i”, theksoi Biden. “Nuk po bëjmë asgjë të re, veçse po rikthejmë një ligj shumë të mirë në veprim”.

Biden ka qenë zëri më i fortë mbështetës i paketës ObamaCare, gjatë kohës kur ai shërbente si zëvendëspresident. Ishte pikërisht ai madje, që siguroi votat e mjaftueshme për kalimin e ligjit. Ai hyn në fuqi në 15 shkurt./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore