Lajme

Biden zgjat vendimin: Ballkani Perendimor, emergjencë kombëtare e Amerikës


Joe Biden

Shtëpia e Bardhë të martën e ka vazhduar edhe për një vit emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001, për t’u marrë me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Kjo gjendje e emergjencës kombëtare, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, do të trajtojë kërcënimin që sjellin veprimet e atyre që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë (1995) ose Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (1999).

Urdhri Ekzekutiv parasheh edhe ata persona të përfshirë në, ose që ndihmojnë, sponsorizojnë ose mbështesin, dhunën ekstremiste në Maqedoninë e Veriut (ish-Republika e Maqedonisë) dhe gjetkë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa saktësohet se emergjenca kombëtare do të zgjatet edhe për një vit.

“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste e aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Urdhri Ekzekutiv në lidhje me Ballkanin Perëndimor ishte nënshkruar fillimisht nga George W. Bush më 26 qershor 2001, ndërsa më pas e ndryshoi me atë të 28 majit 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë me disa veprime që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore