Lajme

Biden po punon për një transferim të madh të armëve në Izrael


Administrata Biden po punon për të përmbushur kërkesën e Izraelit për transferimin urgjent të armëve në Tel Aviv.

Kështu bën të ditur kompania mediatike “Politico”, duke cituar një zyrtar amerikan dhe një person të dytë të njohur me bisedimet.

Vendimi vjen një ditë pasi militantët e Hamasit nisën një valë të paprecedentë sulmesh në Izraelin jugor në një konflikt që kërcënon të shpërthejnë në një luftë më të gjerë.

Zyrtarët izraelitë kanë kërkuar nga SHBA-të që të transferojë sisteme të veçanta të armëve, thanë njerëzit për Politico-n, të cilëve iu dha anonimiteti për të folur përpara çdo njoftimi, dhe Washingtoni zyrtar po punon për ta bërë këtë.

Ata nuk thanë se cilat ishin ato armë, duke përmendur sigurinë operacionale.

Transferimet e armëve mund të jenë pjesë e një pakete të re ndihme për Izrael-in, të cilën Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha CNN të dielën në mëngjes se administrata do ta bënte publike më vonë gjatë ditës.

“Ne po shqyrtojmë kërkesat specifike shtesë që izraelitët kanë bërë. Unë mendoj se ka të ngjarë të dëgjoni më shumë për këtë më vonë sot”, u shpreh Blinken për CNN.

Presidenti ka drejtuar ekipin e tij që të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbështetur Izraelin në konflikt, tha zyrtari amerikan.

“Ata na thanë, ‘na thuaj çfarë të duhet, do ta marrësh’”, tha personi i dytë i njohur me diskutimet.

Një opsion që Shtëpia e Bardhë mund të marrë në konsideratë është të lëshojë një magazinë pak të njohur të municioneve amerikane të ruajtura në Izrael.

Armët janë të destinuara që SHBA-të t’i përdorin në konfliktet e Lindjes së Mesme, por SHBA-të e kanë lejuar gjithashtu Izraelin të ketë qasje në municione në raste urgjente.

Ndërsa SHBA-të dërguan një pjesë të atij municioni në Ukrainë për ta ndihmuar atë të zmbrapste pushtuesit rusë, ka mbetur ende mjaftueshëm në magazinë për Izraelin, tha zyrtari amerikan.

Zyrtari amerikan tha se administrata nuk parashikon që ndonjë ndihmë ushtarake për Izraelin do të ndikojë në aftësinë e tij për të vazhduar dërgimin e armëve në Ukrainë, pasi të dy vendet përdorin sisteme të ndryshme.

“Izraeli ka Iron Dome, ndërsa Ukraina ka NASAMS, Patriot, Hawks”, shtoi zyrtari, duke iu referuar sistemeve të ndryshme të mbrojtjes ajrore.

Marrë dhe përshtatur nga Politico për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore