Muzikë

Beyonce thotë se kritikat pas performancës në “CMA 2016” e inspiruan të krijojë albumin e ardhshëm të zhanrit ‘country’


Këngëtarja Beyonce ka thënë se kritikat që ka marrë pas paraqitjes së saj në “Country Music Awards (CMA)” në vitin 2016 me “The Chicks” e frymëzoi të krijojë albumin e saj të ardhshëm të zhanrit ‘country’, “Cowboy Carter”.

Beyonce theksoi se aso kohe nuk ishte ndjerë e mirëseardhur në atë eveniment, shkruan PageSix, transmeton AlbanianPost.

Beyonce dhe “The Chiks”, 2016.

“Ky album ka mbi pesë vjet që është në punë”, shkroi ajo në një postim në Instagram.

“U lind nga një përvojë që unë pata vite më parë ku nuk ndjeva mirëpritjen dhe ishte shumë e qartë se nuk isha e mirëpritur aty”, shtoi ajo.

Ylli i hitit “Drunk in Love”, 42-vjeçe, tha se për shkak të kësaj përvoje, “bëri një zhytje më të thellë” në historinë e muzikës ‘country’.

“Është mirë të shohësh se si muzika mund të bashkojë kaq shumë njerëz në të gjithë botën. Kritikat që pata kur hyra për herë të parë në këtë zhanër më detyruan të tejkaloj kufizimet që mi vunë. Akti i dytë është rezultat i sfidës sime, dhe marrjes sime kohë për të përzier zhanret bashkë për të krijuar këtë përpjekje”, tha Beyonce.

Në vitin 2016, Beyonce u ngjit në skenë për të performuar hitin e saj “Daddy Lessons” me grupin “The Chicks”, të njohur atëherë si “Dixie Chick”s, e përbërë nga këngëtarja kryesore Natalie Maines dhe Martie Maguire e Emily Strayer.

Trioja e ‘country’ ishte njohur për bojkotimin e tyre nga bota e këtij zhanri për shkak të komenteve publike që bënë kundër atëherë-presidentit George Bush dhe luftës në Irak në vitin 2003.

Ndërsa Beyonce nuk ka ndarë saktësisht se si ndjeu që nuk ishte i mirëpritur pas performancës së saj, “The Chicks” thanë se u trajtuan “çuditërisht” prapa skenës gjatë shfaqjes së çmimeve.

“Ata na trajtuan shumë çuditërisht prapa skenës”, tha Maines, 49-vjeçare, për New York Times në korrik vitit 2020, duke shtuar se mënyra si u trajtua këngëtarja e “Cuff It” pas shfaqjes ishte “e neveritshme”.

Disa fansa bënë komente raciste për Beyonce pas CMAs, dhe videoja e performancës u fshi nga interneti në përgjithësi.

Pavarësisht kundërshtimeve, ylli i hitit “Crazy in Love” tani po shkon përpara me Aktin II një ndjekje e albumit të saj “Renaissance”, që e lançoi në korrik të vitit 2022.

Beyonce premtoi se ka “disa surpriza” në “Cowboy Carter”, duke përfshirë disa bashkëpunime me “artistë brilantë” që gëzojnë respekt masiv.

“Unë shpresoj që të mund të dëgjoni zemrën dhe shpirtin tim, dhe të gjithë dashurinë dhe pasionin që unë derdha në çdo detaj dhe tingull të këtij albumi”, ajo shkroi.

Beyoncé përfundoi mesazhin e saj duke thënë se “Cowboy Carter” – i cili do të përmbajë singlet “16 Carriages” dhe “Texas Hold ‘Em” – nuk është një album ‘country’ por një “album i Beyonce”.

“Cowboy Carter” publikohet në platformat e transmetimit më 29 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore