Kosova

Besnik Bislimi udhëton për në Bruksel, do të takohet me Lajçak


Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Miroslav Lajçak, i dërguar i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, këtë të premte do të udhëtojë për në Bruksel në cilësinë e kryenegociatorit për t’u takuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Raportohet se ky takim është në kuadër të dialogut dhe Lajçak, në po të njëjtën ditë, do të zhvillojë një takim virtual edhe me palën serbe.

Në rrethana normale, këtë të premte do të duhej të takoheshin edhe dy palët –  delegacioni i Kosovës dhe Serbisë, por zhvillimet e fundit e kanë pamundësuar takimin.

Madje, siç ka deklaruar edhe të enjten, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, Serbia e konsideron të zhvleftësuar edhe Marrëveshjen e Brukselit.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, meqë Serbia nuk iu drejtua zyrtarisht me një kërkesë.

Si rrodhën gjërat

Serbia ka zgjedhje më 3 prill. Këto zgjedhje, përmes OSBE-së, dëshironte t’i mbante edhe në territorin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që të mbahen zgjedhje serbe në Kosovë, përveç nëse Qeveria e Serbisë i dërgon kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Serbisë nuk ka pranuar ta bëjë këtë, por ka pranuar propozimin e shteteve të QUINT-it, që Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë të komunikojë me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar këtë version, duke këmbëngulur në idenë e tyre, se duhet një komunikim mes qeverish, përndryshe nënkupton shkelje të sovranitetit dhe integriteti territorial të Kosovës.

Pasi u kuptua qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Vuçiç, ftoi urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Në mbledhje të këtij organi morën pjesë politikanë të Listës Serbe dhe zyrtarë serbë që punojnë brenda institucioneve të Kosovës.

Ata, siç u njoftua, kishin kërkuar nga Vuçiç që të largohen krejtësisht nga institucionet e Kosovës, si përgjigje për refuzimin e qeverisë kosovare që t’i lejojë të mbajnë zgjedhje në formën që ata donin.

Vuçiç u deklarua se ishte ai që i ndali nga kjo “ide radikale”.

Krejt në fund, dolën shtetet e QUINT-it me një deklaratë të përbashkët, ku lavdëronin Serbinë për qasje konstruktive dhe kritikonin Kosovën, duke i thënë edhe se po minonte rrugën e vet drejt integrimit euro-atlantik.

Pas kësaj, si kritikë për pjesëmarrje në Këshillin e Sigurisë së Serbisë, institucionet e Kosovës kanë shkarkuar gjyqtaren serbe, që ka punuar si kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviç.

Për këtë arsye, Vuçiç del me deklarim se Marrëveshja e Brukselit, që rregullonte shuarjen e strukturave paralele dhe inkuadrimin e zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës, më nuk është e vlefshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore