Shqipëria

Berisha: Unë kam ndaluar Bashën të shkonte në bashkëqeverisje me Ramën


Ish-kryeministri dhe ish-lideri demokrat, Sali Berisha, nga foltorja e radhës, në Fushë-Krujë, deklaroi se ka qenë ai që e ka penguar Lulzim Bashën gjatë tetë viteve që të shkonte në bashkëqeverisje me Edi Ramën.

“Ju sakrifikuat për shkak të një kryetari që mendonte vetëm për vete dhe mendonte në mënyrë absolute si të shkonte në bashkëqeverisje me Edi Ramën. Dhe nëse ka një vendim për të cilin e ka penguar Sali Berisha, ju garantoj se është vetëm ky vendim dhe e kam bërë me vetëdije të plotë se një aleancë me krimin do të ishte dita më e zezë për shqiptarët”, theksoi Berisha.

Sipas ish-liderit demokrat, kryedemokrati kaloi nga dështimi në dështim duke mos arritur të mbronte votat e demokratëve.

“Vota u vodh në 2017, zgjedhjet lokale u braktisën, u vodh si asnjëherë tjetër në 2021. Në vend të na mblidhte të dilnim në sheshe, në protesta për përdorimin e buxhetit për të blerë vota, në vend të nxirret demokratët në rrugë”, nënvizoi më tej Berisha.

11 dhjetori

Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të pohonte më herët para mediave se “data 11 dhjetor është vetëm data e fillimit të Kuvendit”.

Gjatë fjalës së tij, ai u ndal sërish te delegatët – duke i quajtur guximtarë – që kanë firmosur formularët për thirrjen e Kuvendit. Këta të fundit, sipas ish-liderit demokrat, e kanë konstatuar këtë transformim të PD-së – në një fasadë të pushtetit.

Duke iu kthyer dhe njëherë situatës së PD-së, Berisha e konsideronte si “jetike”, kthimin e partisë në një forcë opozitare.

Në vijim, ish-kreu demokrat sqaroi se përpjekjet për ta ndaluar këtë lëvizje janë qesharake.

Sa i takon Kuvendit, Berisha theksoi se ai do të mblidhet në datën që e kanë caktuar “guximtarët që kanë firmosur në formularin e tyre”.

I pyetur nga gazetarët, nëse këto lëvizje politike do ta përçajnë Partinë Demokratike, ai u përgjigj se këto nisma do nxisin në fakt – bashkimin e saj.

Pyetjes së Albanian Post, lidhur me precedentët e një revolucioni të paqtë, Berisha solli në vëmendje shembullin “e studentëve të dhjetorit” në vitin 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore