Lajme

Berisha: Ligji për dhunë në familje është i paqartë


Koordinatorja për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, në diskutim me koordinatoren për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha kanë reaguar me dënimin prej dy mijë e 400 eurove për personin që ka dhunuar një grua në një market në Prishtinë.

Berisha për këtë theksoi se neni për dhunë në familje është shumë i paqartë dhe se nuk specifikon llojet e dhunës.

“Ligji e parasheh, neni 127, që një viktimë e dhunës në familje kur e ka bashkëshort ja jep të drejtën mos të deklarohet fare. A din cila është situata e ndjeshme, kur prokuroria e hap një rast e ndjek një të akuzuar dhe kur vjen viktima në seancë gjyqësore e pyet gjyqtari a po dëshiron që të dëshmosh dhe viktima thotë unë nuk dua të flas. Edhe prokuroria mbetet pa prova”, u shpreh ajo.

Ndërsa bëri të ditur se janë “katër prokurorë në Prishtinë që merren me dhunë në familje”.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut.

Anëtari i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Bajrami shprehi pakënaqësi me personin që ka dërguar për raportim para komisionit.

“Nuk na ka ardhur mirë për mos respekti që na ka bërë Këshilli Prokurorial, duke mosdërguar asnjë udhëheqës apo anëtarë të Këshillit Prokurorial. Mendoj që kërkesa jonë ka qenë shumë specifike, njëjtë si për Këshillin Gjyqësor dhe nuk është respektuar”.

“E dyta, arsyeja pse ju kemi ftuar janë disa raste specifike të cilat kemi dashur të dimë se cili është trajtimi që është duke ju bërë, sikurse rasti i Pejës kur është prokurorja ajo që ka kërkuar dënimin e butë, të cilin jemi shqetësuar të gjithë. Rasti më i fundit është ngjarja në një market në Prishtinë, ku një burrë rrah në mënyrë mizore një grua dhe në fund prokuroria dhe gjyqësia pajtohen me një dënim prej 2400 euro”, ka deklaruar Bajrami.

Edhe nënkryetarja e komisionit, Tinka Kurti u shpreh se detyrohen të përsëritin ftesën për KPK-në, meqë nuk mbërrijnë të diskutojnë për prokurorët që nuk janë duke e kryer punën e tyre me profesionalizëm.

Ajo përmendi edhe vendimin që është marrë në rastin e dhunimit të një gruaje në një market në Prishtinë.

“Prokuroria është pajtuar me një shumë monetare. Është shumë e vogël por edhe të ishte sado e madhe, është një rast që nuk mund të përkthehet në shumë monetare. Është fjala për jetë njerëzish, një njeri ka përjetuar një dhunë. Nuk është dëmtuar një tavolinë. Për këto raste jemi duke folur. Ligji për Këshillin Prokurorial i jep kompetenca Këshillit që të nis procedura ndaj prokurorëve”, ka deklaruar Kurti.

Koordinatorja për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha tha se sfidë vazhdon të mbetet edhe tërheqja e viktimës në rastet kur duhet të dëshmojë për dhunën që ka përjetuar.

Më 10 dhjetor, në Kosovë janë publikuar pamje të një burri në market duke rrahur një grua ndërsa ofendoi rëndë edhe gratë e tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore