Shqipëria

“Berisha humb apelin në Londër”, mbetet non grata në Britani


Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të 17 qershorit humbi apelin e tij kundër ndalimit të hyrjes në Britani për lidhje të dyshuara kriminale.

Kështu ka bërë me dije agjencia e lajmeve “Reuters”.

Berisha, kreu i Partisë Demokratike kryesore të opozitës në Shqipëri, u shpall non grata nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2022 për lidhjet e tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilin Berisha e mohon.

Ai apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në mars, duke argumentuar se ai u ndalua nga MB mbi bazën e pohimeve të rreme të paprovuara.

SIAC hodhi poshtë sfidën e Berishës në një vendim me shkrim të hënën.

Vendimi i Britanisë për të ndaluar Berishën nga vendi erdhi një vit pasi ai u përjashtua nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion të dyshuar dhe abuzim me pushtetin.

Berisha, 79 vjeç, përballet me akuza në Shqipëri se ka përdorur ndikimin e tij kur ishte kryeministër midis viteve 2005 dhe 2009 për të favorizuar bashkëshortin e vajzës së tij në privatizimin e tokës shtetërore, të cilat ai dhe vajza e tij e mohojnë.

Duke mbrojtur vendimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të shpallur Berishën non grata, Lisa Giovannetti KC, që përfaqëson Zyrën e Brendshme në këtë çështje në Komisionin Special të Apelit të Emigracionit, tha se “Sekretari i Shtetit kishte të drejtë të arrinte mendimin se aplikanti ka qenë i përfshirë në krim të rëndë të organizuar dhe korrupsion”.

Jo vetëm kaq, por se ai “ka përdorur lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe ata të përfshirë në kriminalitet për përfitimin e tij”.

“Krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor, dhe në veçanti në Shqipëri, ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim negativ në MB. Vlerësimi taktik i Agjencisë Kombëtare të Krimit shpjegon se kapja nga shteti e institucioneve shqiptare minon aftësinë për të luftuar krimin e rëndë të organizuar”, thotë Lisa Giovannetti.

Britania e Madhe ishte tepër e qartë më akuzat: Sali Berisha ka lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB.

Përpos kësaj, ish- lideri demokrat akuzohet për korrupsion dhe pasurimin e tij dhe rretheve të njerëzve pranë tij, ku si shembull përmendet ish-këshilltari për zgjedhjet, Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit britanik, Berisha e ka mbrojtur kur kanë dalë prova inkriminuese.

Por cila është lidhja mes Berishës Fazlliç dhe korrupsionit?

Në vitin 2006, vajza e Sali Berishë, Argita Malltezi dhe kolegia e saj, Flutura Kola, nisën të blejnë tokë me 10 euro për metër katror.

Kjo dy herë më shumë se sa vlera e tregut në Porto Romano.

Rreth 14 hektarë në kufijtë e një “parku energjetik” të vogël të lidhur me portin u siguruan për klientin e tyre, biznesmenin e dyshimtë boshnjak dhe këshilltar të Berishës gjatë zgjedhjeve, Damir Fazlliç.

Ky i fundit pagoi ndërmjetësit e tij, direkt apo indirekt, më shumë se sa katër herë çmimin e tregut, pra 18 euro për metër katror.

Shpejt pasi transaksionet u mbyllën, Berisha mori një vendim kryeministror për të lëvizur kufirin e parkut energjetik, duke përfshirë aty dhe pronat e reja të Fazlliçit, i cili transformoi menjëherë një kënetë të pavlerë në një pronë me vlerë të lartë, si dhe rriti çmimin e saj me së paku tetë herë.

Vajza e Berishës dhe ortakja e saj fituan 1.2 milionë euro nga shitja e tokës te Fazlliçi me çmim katër herë më të lartë se sa ai i tregut.

Biznesmeni boshnjak Fazlliç e pa vlerën e tokës së tij, të regjistruar në emër të dy kompanive shqiptare, të rritej nga 1.7 në 4.2 milionë euro pas vendimit të Berishës.

Nëse planet e tij për të zhvilluar zonën në një terminal nafte me vlerë 70 milionë euro do të vijonin, ai do të fitonte dhjetëra milionë euro.

Në vitin 2008, transaksionet tërhoqën vëmendjen e hetuesve shqiptarë kundër pastrimit të parave, të alarmuar nga përdorimi i “kompanive guackë” nga Fazlliç në Shqipëri, numri i shitjeve të kryera me kesh, çmimet e inflacionuara, si dhe përfshirja e kompanive të regjistruara në parajsat fiskale, Qipro dhe Karaibe.

Çështja ndaj Fazlliç u rrëzua më 2009 pasi prokurorët nuk siguruan dokumentet kyçe nga Bosnja dhe Qipro dhe nuk arritën të gjurmonin origjinën e fondeve.

Ai nuk u akuzua kurrë formalisht për ndonjë shkelje dhe hodhi poshtë të gjitha aludimet.

Fazlliç, një mik i ngushtë dhe këshilltar i Sali Berishës, me miq të fuqishëm në Washington, Londër dhe nëpër të gjithë Ballkanin, ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje.

Damir Fazlic: Controversial Deal Broker | Balkan Insight

Berisha mbrojti Fazlliçin

Kur u njoftua hapja e hetimit për pastrim parash në tetor të 2008-ës, Berisha bëri të pamundurën për të mbrojtur Fazlliçin nga ndonjë akuzë e mundshme, duke siguruar dhe largimin e tij nga vendi me avion privat.

Sipas një memoje të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, të publikuar nga Wikileaks, inspektorët e ministrisë së Drejtësisë u dërguan për të rrëmbyer dosjen me dokumente nga prokuroria.

Prokurorët ranë pre e fushatave të njollosjes publike nga Berisha dhe madje u përballën me kërcënime për veprime ligjore nga Ministria e Brendshme.

Në qershor të 2009-ës, vetëm një muaj pasi Prokurorët shqiptarë hoqën dorë nga hetimi për pastrim parash, Berisha miratoi planin që përfshinte parcelat e tokës së Fazlliçit në parkun energjetik të Porto Romanos.

Kur iu kërkua të jepte llogari për rolin e vet në skandal, Berisha mbajti një konferencë për shtyp në mbrojtje të Fazlliçit, duke pretenduar se hetimi qe orkestruar “nga mafia” dhe këmbënguli se as Fazlliçi dhe as familja e tij nuk kanë përfituar prej postit të tij.

Argita Malltezi nuk u intervistua kurrë nga hetuesit dhe roli i saj në blerjen dhe shitjen e tokës ka mbetur sekret deri tani.

Argita, bashkëshorti i saj Jamarbër dhe vëllai Shkëlzeni, kanë qenë lidhur me disa skandale korrupsioni gjatë qeverisjes së Berishës por nuk u përfshinë kurrë formalisht në asnjë hetim.

Ata kanë mohuar gjithmonë të kenë bërë veprime të kundërligjshme.

Faktet të publikuara në artikullin, që është produkt i programit të titulluar ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’, i financuar nga Austrian Development Cooperation (ADC)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore