Shqipëria

Berisha: Bandat e armatosura kanë kërcënuar të rinjtë e FRPD-së


Gjatë largimit nga selia blu, ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri me dije se të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së janë kërcënuar.

“E ka mbushur selinë me banda të armatosura dhe kriminelë, të cilët kanë kërcënuar me armë të rinjtë e FRPD-së”.

Duke akuzuar hapur kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, se ka marrë peng PD-në, Berisha theksoi se, “do mbajnë përgjegjësi për çdo akt dhune që do të ushtrojnë”.

“U bëj thirrje të gjithë demokratëve të distancohen menjëherë nga këto akte të turpshme, që nuk kanë ndodhur kurrë”, e përmbylli Berisha akuzën e tij.

Ndërsa i pyetur nëse do të ketë protesta, Berisha e tha i prerë, “Protesta, pa asnjë diskutim. Gjithçka po bëjmë, është që të rikthejmë dinjitetin e Partisë Demokratike”.

Në përfundim, ai tha se “Kam thirrur nga të katërt anët e Shqipërisë , kam thënë se po nuk votuam me këmbët tona, nuk do të na votojnë as duart”.

Berisha mbërriti në selinë e partisë për mbledhjen me Komisionin e Përkohshëm të rithemelimit të PD-së – i dalë nga Kuvendi Kombëtar i thirrur prej Berishës më 11 dhjetor – gjatë mesditës.

Nga aty, Berisha është shprehur se Basha është “thjesht një deputet dhe anëtar i grupit parlamentar”.

Ai ka cilësuar këtë konferencë si “më të veçantën” e të gjithave.

Ndër të tjera, ish-kryeministri shqiptar ka shtuar se, “pas themelimit të PD-së, ky ishte Kuvend më perëndimor me vlerat që sanksionoi në kushtetutën e PD-së”.

Kjo mbledhje, sipas tij, ishte përqendruar në organizimin e referendumit të thirrur më 18 dhjetor.

Ai tha se ishte miratuar një referendum, për ratifikimin e Kuvendit të 11 dhjetorit.

Nga ana tjetër, Basha ka vijuar mbledhjen e tij me anëtarët e PD-së, sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dhe kryetarin e Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana.

Ndërkohë, mbështetës të të dyja palëve e kanë agravuar situatën duke u përplasur me njëri-tjetrin.

Berisha i bëri thirrje Bashës që deri më “18 dhjetor të mendojë dhe të reflektojë për vendimin e Kuvendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore