Lajme

Bekim Jashari thotë se në Skenderaj “u vodh fitorja”


Bekim Jashari, Kandidat i Pavarur për Kryetar të Skenderajt

Kryetari aktual i Komunës së Skenderajt, Bekim Hamëz Jashari, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook pas numrimit të afro 60% të votave deri më tani, ku ai renditet i dyti pas Partisë Demokratike të Kosovës, me kandidat Fadil Nurën, i cili prin me 56,77% të votave.

“Sondazhet e Exit Polleve në njërën anë dhe rezultati zgjedhor sipas KQZ-së, është me mospërputhje të mëdha”, shkroi ai.

Ndërsa tha se gjatë ditës së sotme kanë raportuar për parregullësi të mëdha si “blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit”.

“Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si “treni bullgar”, tha Jashari.

“Po ashtu mungesa e komisionerëve nga subjekti jonë politik ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë votën tonë”, tha ndër të tjera ai.

Ndërsa tha se me manipulime dhe blerje votash  “Idealit dhe Drenicës iu vodh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën”.

“Pas mbledhjes së fakteve të shumta për manipulime do të kërkojmë drejtësi për manipulimet e bëra në këto zgjedhje në Skenderaj”, shkroi më tutje ai.

“Ne do të presim numrin e votës se fundit për të dalur me njoftimin e ri”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore