Lajme

Beçiç pranon parimet e Spajiç-it për formimin e qeverisë së re: Është koha për të treguar përgjegjësi


Lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiç, pas takimit me përfaqësuesit e Lëvizjes Evropa Tani – fituesit e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi – ka thënë se për shkak të stabilitetit të proceseve politike, Mali i Zi duhet të ketë një qeveri të fortë politike që do të bazohet në parimet e ofruara nga Lëvizja Evropa Tani.

Beçiç theksoi se takimi i së enjtes ishte një tjetër “në serinë e takimeve konstruktive” dhe se konfirmoi “bashkëpunimin perfekt mes dy subjekteve politike”.

“Ne i kemi përcjellë lidershipit të PES se pranojmë parimet për formimin e qeverisë së Malit të Zi që duhet të ketë një qeveri me shumicë të fortë dhe është një moment i mirë që të gjithë ne të tregojmë përgjegjësi. Demokratët janë këtu për të dhënë një kontribut konstruktiv”, pohoi Beçiç, transmeton media malazeze “Vijesti”.

I pyetur nëse është diskutuar për ndarjen e ministrive, ai ka potencuar se janë diskutuar për parimet, pa dhënë detaje sepse, siç tha ai, është marrë vesh që të dërgojnë një deklaratë të përbashkët.

Ndërsa, të mërkurën Demokratët kanë thënë për median malazeze “Vijesti” se parimet e dërguara nga kryetari i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, janë të pranueshme për ta.

Nga ajo parti u tha se parimet e paraqitura nga Evropa Tani janë në përputhje të plotë me angazhimet e tyre programore afatgjata, aktivitetin politik dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë.

Spajiç, po ashtu më herët ka biseduar me liderët e koalicionit Për Ardhmërinë e Malit të Zi, Milan Knezheviç dhe Andrija Mandiç.

Edhe takimi i Spajiç-it me përfaqësuesit e Partisë Boshnjake ishte planifikuar për sot, por ai u anulua pasditen e së mërkurës, për shkak të, siç thanë nga BS, “angazhimeve të mëparshme”.

Një raund i ri takimesh do të mbahet të premten, kur PES do të takohet me përfaqësues të koalicioneve të Forumit Shqiptar dhe Aleancës Shqiptare, Partisë Popullore Socialiste dhe Nismës Qytetare Kroate.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.

Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve – ish partia e Milo Gjukanoviç-it – është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga Fronti Demokratik, me 15.

Ndërsa, koalicioni në mes të lëvizjes qytetare Ura, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksi Bekçiç-it, kanë arritur kuotën e 12 mandateve.

Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj – kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore